Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj mori pjesë në panelin e konferencës ndërkombëtare të organizuar nga UNIDO, në Vjenë mbi “Industrializimin në vendet me të ardhura të mesme: Një forcë lëvizëse për zhvillim të qëndrueshëm”.
Në fjalën e saj, Denaj u ndal në reformat e bëra nga qeveria shqiptare për kalimin në një ekonomi të drejtuar nga teknologjia, me synim rritjen e vlerës së punës dhe produkteve, zinxhirin e vlerës dhe aksesin në tregje.

“Shqipëria po punon intensivisht në zhvillimin e infrastrukturës, bashkëpunimin rajonal dhe reformat integruese për përfshirje në tregjet elitare të BE-së me produkte cilësore duke synuar rritjen e mëtejshme të eksporteve të produkteve shqiptare”, u shpreh ajo.

Denaj vuri në dukje se ekspertiza e UNIDO do të mund të ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme në përshpejtimin e procesit të bashkimit të fermerëve dhe krijimit të zinxhirit të vlerës, rritjen e cilësisë dhe standardeve të produkteve, në veçanti në lidhje me frutat, perimet dhe bimët mjekësore, duke synuar shkallë më të lartë në industrializim si një motor i zhvillimit të qëndrueshëm.

Takimi ministror i “Grupit me mendje të njëjtë për vendet me të ardhura të mesme” u mbajt në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Aktualisht i përbërë nga 108 vende, MIC-të janë një grup i larmishëm që përbën 30 përqind të prodhimit të brendshëm bruto global (PBB) dhe 75% të popullsisë së botës.