Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet dhe ka përcjellë në Prokurorinë e Tiranës dosjen për 4 efektivë i Komisariatit nr. 1, në lidhje me ngjarjen e rëndë në kopshtin privat “Stinët”, ku në rrethana të mistershme 3-vjeçarja theu këmbën.
Bëhet fjalë për 3 efektivët e pezulluar nga policia Rustem Dervishi, Ylli Çako dhe Ergys Brahimaj dhe një i katërt që ditën e denoncimit ka qenë i gatshëm. Të katërt janë nën akuzë për shpërdorim detyre dhe gjatë marrjes në pyetje kanë pranuar se e kanë neglizhuar çështjen, duke thënë se do të vijonin hetimin të nesërmen dhe në vijim.
Megjithatë, AMP ka dyshime të forta se efektivët nuk kanë verifikuar sipas ligjit dokumentacionet e kopshtit, siç rezultoi më vonë i palicensuar Ministria e Arsimit. Hetuesit po vijojnë hetimet për të parë nëse efektivët e akuzuar kanë përfituar ryshfet për të lehtësuar pozitat e pronarëve të kopshtit privat nga. Kjo mbetet në kuadër të dyshimeve fillestare pasi për momentin nuk ka prova për ngritje akuze.
Në pamjet që janë publikuar nga ambientet e brendshme të kopshtit, duket mësuesja Majlindja Dehima, e cila qëllon me vizore dhe me shpulla 3-vjeçaren. Emisioni investigativ ‘STOP’, publikoi pamjet nga dhoma e gjumit, të 1 nëntorit, ditë kur fëmija ka përfunduar në spitalin e Tarumës me këmbë të thyer. Në materialin filmik dëgjohet të sharat e edukatores ndaj të miturës, më pas një kërcitje që mendohet se është zhurma e thyerjes së kockës dhe më pas të qarat e vajzës.
Prokuroria e Tiranës ka vënë në hetim edukatoren Mjalinda Dehima, si edhe 3 policë janë pezulluar nga detyra pasi nuk kanë këqyrur si duhet pamjet e kamerave. Edukatorja në polici ka deklaruar se e ka goditur vajzën 3-vjeçare, me vizore jo për të dëmtuar, por për ta bindur që të marrë pjesë në mësim. Edukatorja ka thënë se e ka kuptuar se vajza kishte dëmtuar këmbën dhe pretendon se mund të ketë qenë dëmtuar tek krevati, pasi ka thënë se aty ka hapësira. Majlinda Dehima gjithashtu është shprehur se ka vënë në dijeni drejtoreshën e kopshtit privat për rastin.
Pas historisë së dhimbshme dhe të mistershme, Ministria e Arsimit reagoi duke zbuluar një fakt edhe më të rëndë, se kopshti “Stinët” është i pa licencuar, pra e ushtron veprimtarinë e tij në paligjshmëri. Vetëm pas denoncimit të prindërve dhe bërjes së rastit publik, kopshti është mbyllur.