Sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, mbahet takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, në kuadër të dialogut mes dy vendeve.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në këtë takim do të trajtohet zbatimi i Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit, Aneksit Implementues të 18 marsit dhe plani i ri për ecjen përpara i 21 tetorit.
“Ky është takimi vijues i këtij procesi pas atij të 26 tetorit me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së, ku Republika e Kosovës theksoi qëndrimet e saj e gatishmërinë për nënshkrim dhe zbatim të të marrëveshjeve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Kujtojmë se, Brukseli që ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi, por edhe SHBA-ja, vazhdimisht kërkojnë nga dy palët që të arrijnë një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ku adresohen të gjitha çështjet.