Nga Artan Duka
28-29 nëntori janë dy data kulmore historike të pandashme si vetë kokat e shqiponjës në flamurin kuqezi. LANÇ me datat e shumta që përkujtojnë e nderojnë atë dhe Arbëria e Kastriotit të Madh, e bënë dy herë një komb të vogël të madh, tepër të madh, në sytë e botës mbarë.
Kush nderon 29 nëntorin nderon veten, historinë e kombit të tij dhe respekton shumicën e shqiptarëve të lidhur ngushtë me atë epope. Sot e çdo ditë, përulemi me respekt ndaj martirëve të asaj lufte që me gjakun e tyre kuqën më tej flamurin e Kastriotit, ndaj veteranëve që me sakrificat e vetmohimin në luftë e punë, mbeten magjepsës në madhështinë e modestinë e tyre njerëzore, gjithë popullit që barti barrën e atyre viteve dhe u bë jatak për luftëtarët e lirisë.
29 nëntori është datë që zuri vënd me gjak e sakrifica në kalendarin kombëtar dhe çdokush që tenton të njollosë apo shpërfillë atë, mbetet liliput i pashpresë që sado të përpiqet, nuk ia del dot të kacavirret jashtë koshit të turpit të historisë.
Faqebardhë jet e mot para historisë
LANÇ na rreshtoi me dinjitet krahas SHBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Sovjetik. Falë maturisë e sakrificës sublime, Shqipëria ia doli të mos kuturisej në hullinë e kolaboracionizmit dhe doli faqebardhë nga lufta e dytë botërore duke shmangur edhe rrezikun e coptimit të vëndit prej armiqve shekullorë.
Merita kryesore shkon tek partizanët trima por edhe tek drejtuesit e tyre, Enveri e të tjerë dhe kuturisja revanshiste për të retushuar këtë realitet, deri te tentativa e fundit e Kishës Katolike që më së pari duhet të distancohet nga kolaboracionistët me rraso të saj, është t’i hysh detit me këmbë!
Turfullimi e revanshi antikomunist që ka rrënjët në kolaboracionizmin e djeshëm qoftë nën petkun e nacionalizmit, fesë etj, është gjithshka përveçse demokratik. Riciklimi e lançimi i tij në politikë sot nuk të bën automatikisht as demokrat e as të djathtë por thjesht apologjet të kolaboracionizmit që ndoti nacionalizmin me tradhëtinë dhe ka emër aq të keq kudo, sot e përgjithmonë, edhe në Perëndim.
Pinjollët e kolaboracionizmit mund të shesin sot plot dëngla rreth proamerikanizmit por gjatë LANÇ, të parët e tyre ishin antiamerikanët më të mëdhenj!
Ajo luftë na bëri palë me SHBA e botën demokratike dhe merita ishte e partizanëve dhe e mbarë popullit pas tyre që ia dolën të gozhdojnë ushtritë fashiste duke lehtësuar sadopak frontin e lindjes dhe perëndimit përballë murtajës naziste. Ishte LANÇ që duke mbajtur “llogoren” e mbrojtur “shpinën” e ushtrive të SHBA e Britanisë së Madhe, kurseu jetë të shtrenjta ushtarësh guximtarë që kaluan dete e oqean për të çliruar Europën e pushtuar nga nazizmi.
LANÇ dhe drejtuesit e saj kanë meritën e risjelljes së epopesë së Skënderbeut në skenën e historisë për botën mbarë për ta parë atë. Ajo dëshmoi para botës se shqiptarët kanë gjak arbëror e flamurin kuq e zi e valvit e njëjta dorë.
29 nëntori nuk është thjesht një datë por një frymë, thesar që ngjiz vlera e pasuron identitetin kombëtar duke na bërë komb me yll në ballë! Flamuri kuq e zi dhe ylli partizan janë binom krenarie për të gjithë ata që respektojnë historinë e shkruar me gjak. Falë LANÇ, historia na rreshtoi në pavionin e fitimtarëve sa të jetë jeta dhe kjo është trashëgimia më e vyer për ata që vijnë pas.
29 nëntori si “fjalë-kalim” për besimin e votën
29 nëntorin e nderon shumica në këtë vënd e kushdo e përflet atë, humbet besimin e saj. Nuk është çudi që PS dominon zgjedhjet në vënd. Ka pas shumicën sepse të paktën formalisht njeh e vlerëson LANÇ e datat e lavdishme të saj.
Ndërkohë PD e ka destinuar veten si parti të pakicës duke u rreshtuar me humbësit e historisë e këta të fundit, mbeten të tillë përgjithmonë se vulës së historisë nuk i del boja kurrë. Sa kohë PD shpërfill apo anatemon ato që shumica në këtë vënd i ka të shënjta, PD asnjëherë nuk do të jetë parti e shumicës dhe pushtetin do e shohë me dylbi.
Vëndi ka nevojë për rotacion por për fat të keq, PS sot nuk ka rivalë dhe PD nuk ngjall shumë shpresa në këtë drejtim. Tentativa e saj për t’u ndarë nga trashëgimia berishiste ngre pikpyetje në sinqeritetin e saj. Ajo trashëgimi, deri tragjike, aty ishte edhe kur ata ishin rrotull tij.
Nga Gërdeci, 21 janari, 26 maji i dhunimit të votës, piramidat, 97, dhënia e detit e varrezave Greqisë, grushtet e shtetit etj mënxyra që u shtrinë në vite e dekada me rradhë. Dhe këta, që sot bëjnë të moderuarin pro-amerikan e “garipin” ndaj Berishës, Basha i pari, nuk lodheshin duke i bërë fresk e temena këtij të fundit deri ditën që fermani non-grata ra si rrufe në qiellin blu.
Nëse PD e ka seriozisht ardhjen në pushtet, ka një “malore” të madhe përpara. T’a fillojë me largimin e të gjithëve që të djathtën e ngatërruan qëllimisht me kolaboracionizmin apo që mbetën deri ditën e non-gratës beniamin të Berishës, nga Basha i pari!
PD ka nevojë sot për riformatim të programit të saj ideologjik. Nëse vetquhet e djathtë duhet të njësohet me të djathtat liberale të Europës dhe jo atavizmat e nacionalizmit të luftës që degradoi në kolaboracionizëm.
Që të marrë mbështetjen e shumicës, PD duhet të ndajë vlera me të e ndër to është edhe rishikimi objektiv i së shkuarës duke filluar nga LANÇ vlerat e së cilës nuk ka kohë që i kufizon. Shumica vlerëson dhe e ka të shënjtë LANÇ e punën vetmohuese më pas për shtet e zhvillim social-ekonomik më pas. E nëse për ato vite aty del i pashmangshëm roli i komunistëve e i Enverit me shokë, ashtu qoftë. Kjo nuk do të thotë se mund të etiketohesh enverist apo se po glorifikon dikë.
Politika nuk duhet të tjetërsohet nga asnjë kompleks, qoftë edhe ai i Enverit. Pranimi i historisë e fakteve nuk është opinion e adhurim por respekt ndaj së vërtetës. E nëse do që e shkuara të zbehet, bëje të ardhmen më të mirë.
29 nëntori është festa e shumicës dërmuese në këtë vënd dhe nëse PD do vërtet të mos identifikohet me Berishën, t’a fillojë me këtë datë duke e njohur e nderuar atë. Njohja e 29 nëntorit është rruga e vetme për të dëshmuar se po ndryshon dhe meriton të vlerësohesh nga shumica në vënd.
Nuk të garanton pushtet por garanton vëmëndjen e shumicës tashmë mëndjehapur për të të besuar edhe me votë. 29 nëntori është një shans për PD për të filluar të fitojë besimin e shumicës. Një shans që Berisha gjithnjë e refuzoi dhe i bëri karshillëk me të tjerët pas. Një kurorë për 29 nëntor do të fliste shumë për PD e re!