Situata e krijuar në Kuvend nga deputetët e opozitës është komentuar edhe nga Fatos Lubonja. Ai thotë se opozita ka të drejtë në gjërat që kërkon, por mjetet sipas tij janë ato të fundit, që përdoren në një situatë të dëshpëruar. Sipas tij nuk dihet nëse këto mjete që po përdoren dhe kjo lëvizje e dëshpëruar, do të sjellin rezultat apo jo.
“Këtu janë dy çështje, e para a ka apo jo opozita të drejtë për gjërat që kërkon? Unë mendoj se ka shumë të drejtë, qoftë për koncensionet, i caktohet edhe kryetari i grupit parlamentar ndërkohë që 48 veta kërkojnë tjetër. Në thelbin e vet, çështja është që ka një strategji të qartë për kapjen e gjithë pushteteve, deri te shoqëria civile, dhe opozitën duan ta caktojnë mazhoranca. Kjo është dramatike për vendin.
Këtu opozita ka të drejtë. Çfarë mjete lufte ka opozita për të ndaluar këtë gjë dhe si janë këto mjetet e fundit që po përdor? Mendoj se mjetet e fundit, janë e fundit gjë, ose përpjekje të dëshpëruara për të reaguar. Pasi janë shkatërruar të gjitha mundësitë. Nëse do isha në krye të mazhorancës, do shtroja pyetjen kanë apo jo të drejtë, dhe nëse kanë të drejtë jepu çfarë meritojnë. Ata gjykojnë se nuk kanë të drejtë.
Unë gjykoj se opozita tani po i drejtohet me një përpjekje të dëshpëruar publikut dhe ndërkombëtarëve. Sepse në Shqipëri ka pasur tirani të mazhorancave, edhe kur ishte Berisha. Hiqni atë Berishën e parë që ishte shumë i pushtetshëm, në periudhën deri në 2017, ka pasur dy faktorë që e kanë lejuar një lojë demokratike… baraspeshimi dhe konfliktualiteti është qetësuar me ndërhyrjet e ndërkombëtarëve.
Ajo që ka ndodhur së fundmi dhe ka ndryshuar situatën është se ata të fortët, qeveria ka kompromentuar edhe ndërkombëtarët që nuk bëjnë më arbitrin, por tani i thonë Ramës ‘vazhdo’, Berishën ia kanë shpallur non-grata. Tani bëjnë lëvizje të dëshpëruar, por nuk e di sa do ketë rezultat. Ky lloj konflikti ashtu si zhvillohet atje, është humbje dhe dështim i të gjithëve”, – shprehet Lubonja.