Avokati Bledar Meminaj thotë se pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut për “21 janarin”, ku bënte përgjegjës shtetin, SPAK shpalli moskompetencë për këtë çështje dhe ia ka kaluar Gjykatës së Tiranës.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Meminaj u shpreh se vendimi i Strasburgut anon nga Krimi Ekonomik, që familjarët të marrin dëmshpërblim, pasi çështja është gjykuar.

“Mesa di unë, SPAK e shpalli moskompetencën për këtë çështje dhe ia ka kaluar Gjykatës së Tiranës. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut anon nga Krimi Ekonomik, në lidhje me atë që ka ndodhur, që familjarët të marrin dëmshpërblim. Për veprën penale, ajo është hetuar, gjykuar dhe dënuar. Kjo është për t’u diskutuar nga organet e hetimit dhe për t’u vendosur nga gjykata”, deklaroi avokati.

Në lidhje me akuzat ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për privatizimin e kompleksit “Partizani”, Meminaj theksoi se SPAK është treguar tolerante me masat e dhëna.

“SPAK për mua është treguar vulnerabël që në ditën zero. Dihet shumë mirë që Sali Berisha ka mjet pune dialogun dhe është nëpër media të ndryshme. SPAK nëse do të ndiqte me përpikmëri, nuk do të ishim sot para kësaj kakofonie juridike, ku Berisha nuk dakordësohet kurrë me vendimmarrjet ndaj tij. Arrest është tjetër gjë, dhe të marrësh të pandehur është tjetër gjë. Nuk besoj se do shkojnë direkt në arrest me burg, por arrest në shtëpi, për shkak edhe të moshës. SPAK duhet t’i drejtohet parlamentit për masën e arrestit”, nënvizoi Meminaj.