Nga Namir Lapardhaja
Edi Rama është i kënaqur më shumë se kushdo tjetër, kur lë në shfaqjen e tyre deputetët e Rithemelimit, ata që do duhet të ishin alternativë e pushtetit. Shprehja e tij e famshme se ‘ne nuk jemi më të mirët, por shih kë kemi përballë’, e polarizon maksimalisht votën e shqiptarëve, mban solide atë socialiste, dekurajon votën gri dhe të pakënaqurit dhe, më së paku, e lë situatën kështu siç është. Rama vijon i qetë në pushtet, i mbytur nga skandalet dhe korrupsioni, kjo ‘opozitë’ në të njëjtat pozita, për shkak të moskuptimit dhe të mos nxjerrjes mësim nga asgjë e shkuar.
Sali Berisha është i kënaqur më shumë se të tijët dhe njëlloj me Edi Ramën. Një shfaqje e tillë, dy herë në javë, të hënën në komisione dhe të enjten në seancë plenare, e mban atë në lojë për t’iu fshehur drejtësisë, për të mos të shkuar në gjykatë për t’u përballur me hallin e tij. Të hënën e parë dhe të tretë të muajit, ai, në vend që të jetë për të dhënë gjenealitetet përpara oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimeve, del dhe u jep leksione demokracie shqiptarëve që e kanë dëbuar nga pushteti me një milion vota. ‘Aksioni’ i Berishës i kamufluar për të ‘shpëtuar’ opozitën dhe shqiptarët, po ia del më së miri, deri më tani, për t’iu shmangur drejtësisë. Pra, atë që thotë se po e bën për të tjerët, në fakt, po ia del më së miri ta bëjë për vetveten.
‘Heronjtë e kangjellave’ po ia dalin për t’i treguar militantëve që ne jemi bërë gardh për të mbrojtur liderin historik dhe, sido të shkojnë punët, meritojmë të jemi pasardhësit e tij, sepse, kur ai kishte hallin e madh, i dolëm në mbrojtje me të gjithë mënyrat. Kjo skenë e shëmtuar nuk prodhon politikisht asgjë, nuk lejon qarkullimin e ideve, nuk siguron ndryshimin e elitave, nuk mundëson dëgjimin e zërave të arsyeshëm, nuk shfaq asnjë alternativë qeverisjeje për çështjet aktuale, mban në pushtet Edi Ramën dhe PS-në, nuk u ofron zgjidhje shqiptarëve për asnjë problematikë dhe, mbi të gjitha, vijon të mashtrojë demokratët për fitoret imagjinare të Revolucionit të asgjësë.