Dhuna e ushtruar nga eduktatorja ndaj të miturës në kopshtin privat “Stinët” ka sjellë revoltë në rrjet. Një ditë pas publikimit të pamjeve të tmerrshme ku edukatorja shihej teksa dhunontë një vajzë të vogël, 3-vjeçare, qytetarët kanë paralajmëruar sot një protestë.
Mësohet se protesta do të zhvillohet në orën 16:00 përpara kopshtit, në lagjen Ali Demi, në kryeqytet prapa shkollës “Kushtrimi i Lirisë”.
Qytetarët e revoltuar kanë thënë se nuk është hera e parë që në institucionet arsimore për fëmijë ushtrohet dhunë dhe se qeveria, Ministria e Arsimit, duhet të reagojnë menjhëherë dhe të marrin masa.
Ka qenë prindi i 3-vjeçares i cili denoncoi në redaksinë e emisionit investigativ “Stop” dhunën në mënyrë makabër, që edukatorja pranë kopshtit privat “Stinët” kishte ushtruar ndaj të miturës. Ngjarja ka ndodhur në datën 1 Nëntor 2023 dhe si pasojë, e vogla është me këmbë të thyer.
“Ka qenë data 1 Nëntor 2023. Vajza u çua nga ime shoqe në orën 8 e 20 dhe ne ikëm në punë siç çdo ditë. Kur e çuam vajzën në mëngjes ishte në rregull, si çdo ditë tjetër. Në orën 3, njoftohet nusja që “hajde merre vajzën sepse ka dhimbje tek këmba dhe po grindet, diçka e ka pickuar”. Nusja niset direkt dhe kur mbërrin aty, goca ishte futur poshtë një tavoline. Këmba ishte e enjtur dhe ishte fryrë sa koka e vajzës. Nusja kishte ndeshur edukatoren dhe drejtoreshën të cilat po e prisnin duke qarë. Thoshte me veten e vet se “çfarë i kam bërë unë vetes”. Nusja nuk e pati mendjen në ato momente se çfarë po ndodhte me edukatoren, por pa edhe drejtoreshën duke qarë dhe drejtoresha i tha që “hajde të hipim në makinë dhe ta çojmë direkt në pediatri”. U nisën në pediatric dhe më mori nusja direkt në telefon dhe më tha që po ikim në pediatri.
Kur shkova, mora fëmijën dhe u shokova kur i pashë këmbën që ishte e enjtur në një gjendje skandaloze. Më pas morëm letrën e hyrjes që ta kontrollojë mjekja dhe kur mjekja pa tha “që nuk është rast për mua, ka diçka tek këmba dhe nuk di të ju kthej përgjigje. Ju sugjeroj që të shkoni tek “Ushtaraku”. Kur mbërritëm në Urgjencën e “Ushtarakut”, u futëm brenda dhe kërkuam ndihmën e shpejtë dhe aty dolën mjekët që ishin specialist të kësaj fushe dhe në momentin që i bënë grafinë, grafia doli në një thyerje shumë të keqe, ishte thyer këmba, pjesa e kofshës në një gjendje skandaloze”, ka thënë babai i të miturës.