Në fund të 10-mujorit të këtij viti, vlera e kredisë së re arriti në 246.6 miliardë Lekë, me një rritje prej 8.3% ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Sipas këtij institucioni, rritja e muajit Tetor ka përmirësuar ndjeshëm ecurinë e kredisë së re për kompanitë private, që për 10-mujorin e 2023 arriti vlerën e 162.4 miliardë Lekëve, në rritje me 7.3% krahasuar me një vit më parë.

Edhe kredia për individët thekson se raporti i Bankës së Shqipërisë ka trajektore gjithnjë e në rritje, por me ritme të ngadalësuara ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme. Më konkretisht në periudhë Janar-Tetor, portofoli i disbursimeve të reja të individëve arriti në 74.7 miliardë Lekë, në rritje me 4.9% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa sa i përket depozitave që individët dhe bizneset kanë në sistemin bankar kanë shënuar një ecuri pozitive gjatë muajit Tetor, në të dyja monedhat, si në Lekë ashtu dhe në Euro.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit Tetor, stoku i depozitave në Lekë arriti në 547.5 miliardë Lekë, me një rritje prej 0.75% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2022 ose 4 miliardë Lekë më shumë. Kjo është rritja e dytë më e fortë e këtij viti, pas asaj në muajin Qershor. Ndërsa në fund të Tetorit, stoku i kursimeve në Euro arriti në 7.26 miliardë Euro, me një rritje prej 1% në krahasim me muajin e mëparshëm, ose 75 milionë Euro më shumë, e ndikuar si nga bizneset ashtu dhe nga individët vërehet në raportin e Bankës Qendrore. Nga ana tjetër monedha europiane Euro ka shënuar një zhvlerësim të ndjeshëm gjatë së enjtes në tregun valutor. Më konkretisht 1 Euro këmbehet me 101.4 Lekë në blerje dhe 102.4 Lekë në shitje, duke prekur një rekord të ri negative në tregun valutor.