Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga investimi që po merr jetë në shtratin e lumit Gjanica dhe segmenteve përgjatë tij, duke kaluar nga mbindotja në një frymëmarrje të gjelbër për qytetin e Fierit.

Rama përcolli në rrjetet sociale pamje nga transformimi që po ndodh në segmentin e dytë të lumit Gjanica, duke krijuar siç thotë kreu i qeverisë, pas dekadave mbeturina dhe ndotje, tashmë një rrugë të re të frymëmarrjes për fshatrat dhe zonat në anë të lumit.

“Transformimi i segmentit të dytë të Gjanicës, ka futur në shtrat një lumë të zhytur mes ferrave, kallamishteve e plehrave të mbledhura me dekada, duke krijuar rrugë të re frymëmarrjeje të gjelbër që përshkon Fierin e Rilindur dhe u jep mundësi qytetarëve të lëvizin në këmbë në një pedonale të gjatë”, shkruan Rama.

Rehabilitimi i segmentit të dytë të lumit Gjanica do të plotësojë më tej mozaikun e transformimit urbanistik që po ndodh në qytetin e Fierit. Faza e dytë po zbatohet në një gjatësi prej 2 kilometrash dhe vjen në vijim të investimit për sistemimin e lumit. Ky projekt synon të rikthejë lumin Gjanica në një nga asetet natyrore më të rëndësishme të zonës urbane të qytetit të Fierit.