Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se, paga e punonjësve të policisë së burgjeve është barazuar me pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit, teksa pritet një rritje 10% vitin e ardhshëm.

Në fjalën e tij në ceremoninë e prezantimit të flotës së re të automjeteve të sistemit penitenciar, Manja u shpreh se, “aseti jonë më i çmuar janë 4524 punonjësit e policisë së burgjeve, ndaj dhe investimi im kryesor është tek kapitali njerëzor në sistemin penitenciar. Ka qenë vullneti i kësaj qeverie dhe i kryeministrit Edi Rama, për ta kthyer vëmendjen dhe për t’i bërë më në fund drejtësi për punonjësit e policisë së burgjeve, duke barazuar pagat e tyre me ato të punonjësve të Policisë së Shtetit”, tha Manja.

Manja nënvizoi se, “një tjetër rritje prej 10% pritet të ndodhë me ligjin e ri të buxhetit të sapomiratuar në Kuvend, ku 79% e buxhetit të sistemit të burgjeve shkon për fondin e pagave. Këto rritje shkojnë në favor të 4524 familjeve që mbahen nga këto punonjës në sajë të sakrificës së tyre të përditshme në shërbim”.

Manja gjithashtu shtoi se, “flota e re e automjeteve të policisë së burgjeve është dëshmi e investimeve në vitet e fundit në infrastrukturën fizike dhe të transportit në sistemin penitenciar”.

“Falë mbështetjes buxhetore në rritje në këto 3 vitet e fundit, mbështetjes bujare të partnerëve tanë britanikë, po rrisim dita-ditës standardet e sistemit penitenciar në infrastrukturë, logjistikë lëvizëse dhe teknologji duke përmirësuar ndjeshëm standardet e sigurisë dhe të trajtimit dinjitoz të të dënuarve dhe të paraburgosurve në Shqipëri”, tha Manja.

Manja shtoi se vitin e fundit u realizua me sukses procesi i optimizit të infrastrukturës fizike duke mbyllur 4 Institucione të Ekzekutimit Vendimeve Penale.

“Në masterplanin tonë 2023-203 kemi vendosur objektiva të qartë për ndërtimin e IEVP-ve të reja, me kapacitet shumë më të madh se ato ekzistuese, duke reduktuar ndjeshëm kostot dhe duke përmirësuar kushtet e vuajtjes së dënimit për personat e dënuar ku vëmendje të posaçme do t’i dedikohet IEVP ku trajtohen gratë”.

Ai tha se, do të mbyllen 10 burgje të trashëguara nga koha e komunizmit.

“Disa prej tyre si burgu i Burrelit dhe ai i Tepelenës do të vlerësohen për t’u shndërruar në vende memorieje”, theksoi Manja.