Max Verstappen me Red Bull është fituesi i garës së fundit të sezonit në Formula 1. 26-vjeçari që u shpall kampion për herë të tretë javë më parë, tregoi se sezoni 2023 ishte i tiji me “diktatin” e vendosur në Çmimin e Madh të Abu Dhabit.

Në cirkuitin e Yas Marina, holandezi nuk e pati të vështirë në një pistë që e zotëroi dhe la pas Ferrarin e Leclerc dhe Mercedesin e Russell. Në vendin e katërt piloti tjetër i Red Bull, Sergio Perez.

Kështu gara e shpëjtësisë ul siparin e një sezoni të dominuar nga Red Bull, me skuderinë britanike që u shpall kampion për konstruktorë me 822 pikë, 21 fitore dhe 30 podiume.

Ndërkohë skuderia Mercedes ndjek nga larg me 392 pikë, zero fitore dhe vetëm shtatë podiume.

Sa i takon pilotëve, Verstappen me 575 pikë ka 19 fitore dhe 21 podiume, vetëm dy si vend i dytë, duke lënë pas shokun e skuadrës Perez me 273 pikë. Pas tyre Hamilton, Sainz dhe Alonso.

Me fitoren e sotme Max Verstappen siguron suksesin e 54-t në karrierë, duke u renditur në vendin e tretë mes pilotëve të të gjitha kohërave për triumfet në pistë. Ai lë pas Seba Vettel që ka 53 fitore dhe synon të kapë Michael Schumacher me 91 triumfe. Në vendin e parë me më shumë fitore është Lewis Hamilton me 103 të tilla.