Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, sikur një javë më parë, edhe sot nisi dhe përfundoi me tensione dhe kaos, të shkaktuar nga deputetët e opozitës.

Sikundër kishin lajmëruar edhe më herët, këta të fundit nuk lejuan që seanca të zhvillohej në tone normale, pasi që rreth orës 09:30, u futën në sallë dhe nisën që të bllokojnë foltoren duke kthyer karriget përmbys.

Ndërkohë nuk vonoi shumë, dhe deputeti i PD Saimir Korreshi, ndezi tymuesen.

Sakaq, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ndërsa kollitej prej tymit, nisi votimin e disa projektligjeve dhe marrëveshjeve mes kaosit të kishte përfshirë sallën e Kuvendit.

Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj kërkoi rrëzimin e disa projektligjeve të propozuara nga opozita, teksa me 75 vota kundër, të gjitha propozimet e opozitës u rrëzuan.

Mes tymit e kaosit, Nikolla vetëm 20 minuta më pas, njoftoi se seanca mbyllet dhe se do të ketë më vonë një njoftim për atë të radhës.

Jashtë sallës së Kuvendit, duke folur për gazetarët deputetët opozitarë thanë se Parlamenti është marrë peng ‘nga një grup kriminal’, dhe sërish paralajmëruan aksione për të mos lejuar zhvillimin e seancave normale.