Sheynnis Palacios nga Nikaragua u kurorëzua “Miss Universe 2023” në konkursin e bukurisë, i cili u zhvillua të shtunën mbrëma në kryeqytetin e El Salvadorit, San Salvador. Shoqëruesja e parë e misit u zgjodh Anntonia Porsild nga Tajlanda.

Juria që gjykoi konkurrentet e 84 vendeve ishn modelja Halima Aden, ylli i “Queer Eye” Carson Kressley, influencuesi i “TikTok”, Avani Gregg, dhe dy ish-fitueset e “Miss Universe”, Janelle Commissiong nga Trinidad & Tobago. (“Miss Universe 1977”) dhe Iris Mittenaere e Francës (“Miss Universe 2016”).

Njëzet gjysmëfinalistet u shpallën të shtunën mbrëma pas rezultateve të garës paraprake dhe pas një televotimi global. Pas prezantimit të miss-eve me bikini, gara u ngushtua, ku u përzgjodhën 10 më të bukurat.

Miss Kolumbia, Camila Avella dhe Miss Puerto Rico, Karla Guilfú, u zgjodhën në “top 5”, ndërsa një tjetër konkurrente e “top 10”, spanjollja Athenea Pérez, u kurorëzua Miss Congeniality e konkursit.