Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është paraqitur ditën e sotme në seancën që do të zhvillohet ditën e sotme për Gërdecin. Kjo është hera e parë e Mediut, që është paraqitur në seancat ndaj tij, që prej nisjes së procesit.

Para trupës gjykuese, Mediu ka deklaruar se nuk ka asnjë përgjegjësi penale për këtë tragjedi, duke shtuar se ‘rihapja e çështjes është plotësisht në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.’

Sipas Mediut për familjarët e viktimave përgjegjës është shteti dhe për ta shteti është ish-ministri. Mediu ka deklaruar se do të donte ta zhbënte atë që ndodhi, por nuk ka asnjë forcë, veçse t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit.

Para trupës gjykuese ish-ministri, ka shpjeguar pozicionin e tij dhe ka deklaruar se “që prej ditës së shpërthimit, në mendjen dhe në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkoj një ndjesë të madhe”.

‘Në reflektim të kësaj përgjegjësie, si dhe prej dhimbjes së madhe për jetët e humbura, unë dhashë dorëheqjen nga detyra e ministrit të mbrojtjes. Jam i keqardhur që aktin e dorëheqjes time si ministër dhe më pas sjelljen dhe qëndrimin tim të përulur në lidhje me tragjedinë, grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj. Kam zgjedhur të jem i kursyer në shpjegimet e mia publike dhe të shmangë sa të mundem të flas për ngjarjen.

Me bindjen se shpjegimet dhe të vërtetat e mia rreth ngjarjes, për familjen Durdaj dhe të tjerët, jo vetëm nuk do të ishin një lehtësim i dhimbjes së tyre, por përkundrazi. Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është Ministri. Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit.’- ka thënë Mediu.