Shqipëria kryeson mes vendeve që kanë përmirësuar ndjeshëm rezultatet për një ekonomi gjithëpërfshirëse. Vlerësimi vjen në raportin e fundit “Tranzicioni 2023-2024”, i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

BERZH thekson se gjatë periudhës 2016-2023, pothuajse të gjitha ekonomitë në rajonet e BERZH-it kanë përmirësuar rezultatet e tyre të gjithëpërfshirjes, me përmirësimet më domethënëse që janë parë në Shqipëri, Malin e Zi, Estoni, Letoni.

Në Shqipëri dhe Mal të Zi, sipas BERZH, këto rritje janë nxitur kryesisht nga aksesi më i madh në shërbimet e internetit dhe aftësitë dixhitale.

Për 2023, Shqipëria u rrit në 5.22 pikë për gjithëpërfshirjen, nga 5.08 që kishte në 2022, apo 4.63 në 2016.

BERZH shton se rezultatet e gjithëpërfshirjes në tërësi kanë tendencë të rriten më tej për shkak të gjithëpërfshirjes më të madhe financiare, zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe përmirësimet në infrastrukturën e tregtisë dhe transportit.