Nga Alba Malltezi/
Vlera e një shqiptareje si Helena Kadare kuptohet sot, por do të kuptohet gjithnjë e më mirë edhe në vitet që do të vijnë. Jo vetëm për sakrificën e vetëdijshme të saj duke publikuar më pak libra si autore, duke i qëndruar në krah Ismail Kadaresë dhe duke na dhuruar si komb shkrimtarin që kemi sot e që bota na e vlerëson, por edhe për guximin, lirinë për të thënë të vërteta. “Do të kisha bërë ndoshta 10 apo 20 libra më shumë, thotë, por e kam kuptuar që e re se ndihma që do t’i jepja Ismailit, ishte më e rëndësishme se ato që do të shkruaja”. Që është një grua e lirë dhe e guximshme e kishim kuptuar qartë në “Kohë e pamjaftueshme”.
Helena na e përcolli një tjetër të vërtetë që mund të ketë kosto për të. Është një e vërtetë e një vlerësimi për Shqipërinë dhe sot, të flasësh mirë për Shqipërinë, vendin, mund të bëhesh papritur objektiv sulmesh nga më të pamëshirshmet. Mund të marrë përsipër koston e sulmit të atyre që bërtasin çdo mbrëmje që Shqipëria nuk bën, nuk bëhet e nuk do të bëhet, por më shumë se të atyre, të të tjerëve që pa bërtitur, kanë punuar e punojnë që Shqipëria të shkatërrohet, të mos përmirësohet, të qëndrojë përherë e ndrydhur, kokëulur. Se cilët janë, ndoshta, të shkruhet, këtë herë, do të ishte e tepërt.
E pyetur nga gazetarja e Report TV Anila Dedaj “nëse e ndjekin situatën politike në Shqipëri tani që jetojnë në Tiranë, nëse janë pesimistë, optimistë, të sigurtë këtu?”, Helena përcjell një dëshmi që ka peshë: “Absolutisht e sigurtë; për mua këtë optimizëm ma ka dhënë përherë Ismaili, sepse gjatë gjithë kohës më thotë se Shqipëria po jeton vitet më të mira të saj. Edhe pse i numëroj gjërat që nuk shkojnë: po kjo, po kjo? Pavarësisht nga këto, ai ka ngulur gjithnjë këmbë për këtë, që jemi në kohën më të mirë, asnjëherë Shqipëria nuk ka qenë në një pozicion kaq të favorshëm ndaj botës”.
A është revolucionare sot të pranosh përmirësimin, sigurinë, pozicionin e favorshëm të vendit tënd? Duke ndjekur, pësuar dhe konstatuar agresivitetin e kundërshtarëve të këtij realiteti, besoj se po. Pohimi i kësaj të vërtete është guxim, është një revolucion. Një revolucion i qetë, por ama, revolucion.