Nga Irtan Sejko/

Më vjen mirë që Instituti i Historisë ka finalizuar një projekt kaq të madh, si “Historia e Shqiptarëve gjatë shekullit të 20-të”, me angazhimin e disa historianëve profesionistë ku, siç janë shprehur historianët e njohur B. Meta, M. Verli, H. Bello e të tjerë, linjat kryesore të historisë së Çamërisë zënë një vend të dukshëm dhe të pa trajtuar më parë. Ende nuk më ka rënë në dorë libri, por uroj që literatura që është përdorur, arkivat që janë shfrytëzuar, të jenë një risi e madhe.

Me këtë botim është bërë vërtet një hap përpara, nëse është dhënë historia e plotë me referencat burimore, të huaja, por edhe të historiografisë greke.

Rishikimi i historisë së shqiptarëve është një proces normal i domosdoshëm, mbi bazën e metodologjive të reja shkencore, këndvështrimeve të reja dhe dokumentave autentike, që zbulohen nga kërkuesit shkencorë. Por do të ishte mirë të ekzistonte një strategji kombëtare për të shkruar dhe rishkruar historinë tonë kombëtare, pasi ka shumë abuzime dhe manipulime.

Gjithashtu është e rëndësishme që ky proces të mos mbetet thjesht akademik, por të reflektohet edhe në kurrikulat shkollorë të të gjitha niveleve, ku historia e Çamërisë nuk figuron, ose është hequr vitet e fundit.

Rishikimi i teksteve të historisë se Shqipërisë është dashur të bëhet që para 32 viteve, në mënyrë që të shkunden nga mendësia marksiste-leniniste.

Fjala vjen koncepti i kombit është dhënë në shumicën e rasteve sipas teorisë staliniste, pa u dhënë definicioni eksplicit për kombin, dhe kjo gjë prodhonte derivate të tjera me të cilat nxënësit dhe studentët tanë furnizoheshin gjatë gjithë shkollimit.

Shkrimi i teksteve të historisë në kohën e Enver Hoxhës ishte plotësisht në funksion të sistemit të tij politik.

Faktet që servirnin në atë kohë tekstshkruesit e historisë lidheshin me orientimet e politikës së jashtme. Nxënësit në shkollë fillore dhe të mesme kishin mundësi të mësonin në shkollë për historinë e lashtë kineze, hinduse e egjiptiane, për historinë franceze, greke, ruse e jugosllave, por shumë pak apo aspak për historinë e Kosovës, Çamërisë dhe trojeve të tjera shqiptare.

Shkrimi i teksteve të historisë në kohën tonë duhet të jetë krejtësisht në harmoni me vlerat demokratike dhe interesat kombëtare.