TIRANË- Shtyhet sërish seanca për Laert Haxhiun i akuzuar për vrasjen e dyfishtë në Lushnjë në vitin 2017, ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, ndërsa i shpëtoi atentatit Xhulio Shkurti.
Gjykata e Posaçme caktoi seancën e radhës me datë 1 dhjetor për t’i dhënë kohë avokatit të caktuar kryesisht të njihet me dosjen si dhe prokurorisë për të paraqitur provat shkresore.
Avokati Detar Hysi i kërkoi sërish gjykatës të hiqte dorë nga mbrojtja e Laert Haxhiut për shkak se ky i fundit nuk ka shprehur pëlqimin që të përfaqësohet nga Hysi.
Laert Haxhiu u arrestua muaj më parë në Janinë të Greqisë.
Gjykata e Apelit të Janinës ka dhënë dritën jeshile për ekstradimin e të shumëkërkuarit Laert Haxhia, duke rrezuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës se Parë, që kishte refuzuar ekstradimin e Haxhiut.
Ministria e Brendshme ka konfirmuar për ABC News se Gjykata e Apelit të Janinës ka vendosur pro ekstradimit, por sipas legjislacionit grek, Laert Haxhiu ka të drejtën të kërkojë shqyrtimin e këtij vendimi nga Gjykata e Lartë.
Laert Haxhiu kërkohet nga drejtësia shqiptare për disa ngjarje të rënda kriminale. Ai është dënuar me 18 vite burg nga Gjykata e Lushnjës, për plagosjen e Sajmo Xhelilit dhe Xhulio Shkurtit, ky i fundit nipi i Aldo Bares.