Vetëm 17-vjeçar, mesfushori i PSG-së, Zaire-Emeri u thirr në ekipin kombëtar të Francës, trajneri Deshamp e mori atë në bord dhe tashmë po e mendon atë si një emër surprizë për Kampionatin Evropian.
Zaire-Emeri është aq i ri sa i duhet autorizimi prindëror për të udhëtuar jashtë vendit me ekipin e tij kombëtar. Talenti francez, po kalon një formë të jashtëzakonshme, duke qenë titullar absolut te gjigantët e PSG-së, teksa ka mahnitur Europën me klasin e tij.
Ai u bë lojtari më i ri i thirrur ndonjëherë në kombëtaren A të Francës. Zaire-Emeri me shumë gjasa do të bëjë edhe debutimin në ndeshjet e muajit nëntor. Vlen të theksohet fakti se Kombëtarja e Francës tashmë është kualifikuar, por do të kërkojë t’i mbyllë në mënyrën më të mirë të mundshme këto kualifikuese.
Për të fluturuar në Greqi, lojtari i PSG-së mori me vete në Clairefontaine një autorizim të nënshkruar nga prindërit e tij. Lajmi u konfirmua nga L’Equipe që shpjegoi se ky është një akt formal, por që shërben për të respektuar një ligj të vitit 2016, një ligj që lidhet me luftën kundër terrorizmit, i cili ka hyrë në fuqi në janar 2017.