Marsel Deçka është agjenti doganor i vënë në pranga në janarin e këtij viti, pas një letërporosie që erdhi nga Franca.

Ishin bisedat e hapura për një grup kriminal të fuqishëm në Durrës, ku nxorën të implikuar edhe agjentin doganor, mes një morie emrash të tjerë, të cilët kishin mundur t’i shpëtonin drejtësisë dhe të largoheshin jashtë vendi.

Deçka i cili refuzoi akuzën që nga momenti i arrestimit, i është drejtuar gjykatës sërish për ndryshim mase sigurimi, por dje, GJKKO i ka kthyer përgjigje se kërkesa e tij është rrëzuar dhe se ai do të hetohet nën masën e sigurimit të arrestit me burg.

SHQYRTIMI GJYQËSOR

Gjykata e Posaçme, GJKKO, ka rrëzuar kërkesën e një prej të akuzuarve për përfshirjen në atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja. Marsel Deçka kërkoi një masë më të lehtë sigurie se ajo e arrestit, kërkesë e cila mësohet se është rrëzuar. Deçka dyshohet dhe hetohet se ka konsumuar elementët e veprave penale si “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Kështu, pas më shumë se 3 vitesh nga atentati ndaj prokurorit, Arjan Ndoja dhe një personazhi të njohur të botës së krimit i njohur si “Rrumi i Shijakut”, ku të dy mbetën të plagosur, ndërsa shoferi Andi Maloku humbi jetën, SPAK dhe policia në bazë të dëshmive dhe përgjimeve të personave të implikuar në këtë vrasje arriti të zbardhë ngjarjen duke identifikuar porositësit, ekzekutorët dhe bashkëpunëtorët.

Nga bisedat e ardhura nga autoritetet franceze u bë me dije se prokurorët identifikuan se kush e donte të vdekur Aleksandër Lahon, i njohur me pseudonimin “Rrumi”, por nuk mundën dot ta vënë në pranga sepse prej kohësh sipas të dhënave ai ndodhet në Dubai, pavarësisht se ndaj tij ka një urdhër arrest tjetër ndërkombëtar për një vepër të rëndë penale. Mes të akuzuarve është edhe Ramazan Rraja, i cili dyshohet se siguroi kushtet për kryerjen e atentatit.

Në pranga ra Bashkim Haxhia, i cili i ka shpëtuar një atentati në qershor të vitit 2019. Po ashtu, në pranga ranë edhe agjenti doganor Marsel Deçka, i afërm i një anëtari të bandës së Durrësit, Genti Ndërjaku, i cili i shpëtoi një atentati me snajper në shtator të 2022 në Durrës dhe Julian Pjetri. Për atentatin gjykata ka marrë të pandehur më herët Redjan Rrajën dhe Ariol Halilajn.

Pasditen e një nëntorit 2019, një breshëri plumbash u derdh mbi makinën që drejtohej nga Andi Maloku dhe ku pasagjerë ishin prokurori i Durrësit Arjan Ndoj dhe Landi Muharremi, person me precedent të theksuar kriminal. Shoferi Andi Maloku nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra. Ngjarja ndodhi në afërsi të mbikalimit të Shkozetit dhe dëshmitarë u bënë disa kalimtarë që i erdhën në ndihmë të plagosurve.

Njoftimi i Gjykatës:

1.Personi nën hetim M.D, i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e figura vetë veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, në dëm të shtetasve A.N, A.L (P.M), G.M dhe A.M (M.) pas ngjarjes së datës 01.11.2019 (sipas episodeve respektive), më datë 07.11.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: zëvendësimin e masës së sigurimit.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 443, datë 13.11.2023, vendosi:

-Rrëzimin e kërkesës si të pabazuar në ligj.

-Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.

-Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.