Ish-kryeprokurori i Apelit Shkëlqim Hajdari i ftuar në Shqip nga Dritan Hila në DritareTv foli për vendimin e Sali Berishës për të mos u paraqitur në prokurori, pas thirrjeve të SPAK-ut. Ish-kryeprokurori tregoi se çfarë ndodh me Berishën, nëse nuk paraqitet sërish në prokurori. Në këtë rast thotë Hajdari, prokurorit i jepet e drejta që të bëjë një kërkesë në Parlament për t’i ashpërsuar masën Berishës dhe pastaj ta çojë çështjen në gjykatë.
Shkëlqim Hajdari: Berisha ka avokatë shumë të mirë, por ka dhe familjarë që janë juristë dhe ai e di që pozita e personit nën hetim, barazohet me personin që është marrë i pandehur.
Berisha është një hap ndaj marrjes si i pandehur. Nëse thirresh në prokurori si dëshmitar ti je i detyruar të japësh shpjegime për publikun.
Nëse thirresh dhe nuk shkon ty të marrin me përdhuni. Nëse ti je person nën hetim dhe shkon në prokurori ti nuk je i detyruar të japësh shpjegim se je në pozitën si i pandehur. Nëse je nën hetim, prapë nuk merresh me përdhuni sepse je i pothuajse i pandehur. Berisha nuk ka të drejtë edhe për masat e sigurimit. Megjithëse ka një sjellje prej një politikani ujk të vjetër.
Berisha nuk është person i zakonshëm nën hetim. Është Berishë. Edhe prokurorët duhet të jenë shumë të ftohtë nën hetimin e zotit Berisha, të mos prishin procedurën. Berisha nuk ka mundësi t’i prishë hetimet. Ndaj nëse nuk paraqitët edhe në seancën e dytë, prokurorët kanë të drejtë, jo detyrim, ta lënë edhe me masën e sigurisë që ka, pra ndalimin e daljes jashtë vendit.
Nëse sjellja e Berishës, duke mos u paraqitur, apo edhe informacione të tjera që mund të ketë për të intimiduar dëshmitarët, janë rrezik për hartimin, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse ashpërsimi i masës, por fillimisht duhet të bëjë kërkesë në Parlament, pastaj të shkojë në gjykatë. Nëse Berisha shkon i pandehur, nuk ka nevojë që të shkojnë në Parlament.
Dritan Hila: Kam dëgjuar një shprehje që zoti Berisha është mbi 70 vjeç dhe nuk arrestohet dot. Kjo ka lidhje me një bonsens që duhet të ketë drejtësia, apo është e sanksionuar me ligj që njerëzit mbi 70 vjeç, përveç rasteve të vrasjes, nuk mund të arrestohen?
Shkëlqim Hajdari: Në Kodin Penal është një nen që thotë se për personat mbi 70 vjeç, masa e arrestit me burg duhet të jetë në raste përjashtimore, pra për raste të rënda. Arresti me burg është përjashtim edhe për persona që nuk janë mbi 70-vjec, nëse nuk cenojnë hetimet.