Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit, pas sulmeve të këtij të fundit me raketa më 7 tetor, po agravohet dita ditës duke e kthyer Gazën në në një pikë të nxehtë për sigurinë jo vetëm rajonale por edhe botërore.
Për këtë ka folur edhe ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, I cili si një njohës i Lindes së mesme është shprehur se konflikti në Gaza mund të paralelizohet me vitin 1914, kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore.
“Është e vështirë të mos mendosh për vitin 1914, kur ngjarjet morën një dinamikë të pakontrollueshme dhe sollën si pasojë Luftën e Parë Botërore”,- është shprehur Fisher.
Ndër të tjera, Fisher është shprehur se lufta në Ukrainë dhe ajo në Gaza kanë një të përbashkët.
“Të dyja kanë në thelb një luftë ekzistenciale për mbijetesën e një shteti kombëtar”,- ka shtuar ish-ministri i Jashtëm gjerman.
Ish-ministri gjerman, ka deklaruar se pjesëmarrës në “prapaskenë”, në sulmin me raketa të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, ka qënë edhe Irani.
Fisher thotë se dy konfliktet aktive që ka bota aktualisht kanë përvijuar një rend të ri botëror, ku Perëndimi është rreshtuar së bashku me Kievin dhe Tel Avivin, ndërsa fuqitë si Kina dhe Rusia, si dhe pothuajse i gjithë i ashtuquajturi Jugu Global në frontin e kundërt. “Është një dinamikë që Perëndimi thjesht nuk mund ta pranojë”, paralajmëron Fischer, sipas të cilit “do të jetë e nevojshme të bëhen përpjekje titanike diplomatike për ta ndaluar”.
Globi “zien” edhe nga vatra të tjera konflikti, që nga Kaukazi midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, në Ballkan midis Serbisë dhe Kosovës, në Afrikë në Sahel, ku një seri grusht shtetesh ushtarake dhe tërheqja strategjike e Francës e kanë zhytur zonën në kaos total.
“Rreziku i një përplasjeje ushtarake në Detin e Kinës dhe ngushticën e Tajvanit po rritet. Në të, superfuqitë amerikane dhe kineze do të përfundonin të përfshira direkt. Përpjekjet për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë globale dhe për të vendosur një rend të ri ndërkombëtar nuk kanë ndodhur kurrë pa dhunë. Kjo e bën tonin e fuqive të mëdha ndaj njëra-tjetrës më agresiv dhe aq më shqetësues”,-tha Fisher, raporton Corriere Della Sera.