Qeveria e Izraelit dhe Hamasi ranë dakord të mërkurën për një pauzë katërditore të luftime për të lejuar lirimin e 50 pengjeve të mbajtura në Gaza në këmbim të 150 palestinezëve të burgosur në Izrael dhe hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë se 50 gra dhe fëmijë do të lirohen për katë ditë, gjatë të cilave do të ketë një pauzë në luftime. Për çdo 10 pengje të liruar, pauza do të zgjatet me një ditë, thuhet në deklaratë pa përmendur lirimin e të burgosurve palestinezë në këmbim.

“Qeveria e Izraelit është e përkushtuar të kthejë të gjithë pengjet në shtëpi. Sonte, ajo miratoi marrëveshjen e propozuar si fazën e parë për arritjen e këtij qëllimi”, thuhet në deklaratën e lëshuar pas disa orësh diskutimesh me dyer të mbyllura.

Hamasi tha se 50 pengjet do të liroheshin në këmbim të 150 grave dhe fëmijëve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite. Marrëveshja e armëpushimit do të lejojë gjithashtu qindra kamionë me ndihma humanitare, mjekësore dhe karburant të hyjnë në Gaza, tha grupi palestinez.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha se e mirëpret marrëveshjen. “Marrëveshja e sotme duhet të sjellë në shtëpi pengje të tjera amerikane dhe unë nuk do të ndalem derisa të lirohen të gjithë”, tha ai në një deklaratë.

Zyrtarët nga Katari, i cili ka ndërmjetësuar negociatat sekrete, si dhe nga SHBA, Izraeli dhe Hamasi prej ditësh kanë thënë se një marrëveshje ishte e afërt. Hamasi besohet se mban më shumë se 200 pengje, të marrë kur luftëtarët e tij hynë në Izrael më 7 tetor.