Një shkëmbim i tretë i pengjeve të Hamasit për të burgosurit palestinezë të Izraelit është planifikuar të mbahet ditën e sotme, të tretën e armëpushimit.
Mediat e huaja shkruajnë së Hamasi ka publikuar listën me 13 pengje izraelite që do të lirohen ditën e sotme. Lista është pranuar nga zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu. Qeveria e Izraelit ka marrë masa duke njoftuar familjarët e pengjeve që do të lirohen sot.
Raportohet se pjesë e pengjeve që do lirohen, janë edhe persona me shtetësi amerikane. Nga ana tjetër, Izraeli ka publikuar po ashtu listën me 39 të burgosur palestinezë që pritet të lirohen ditën e sotme.
Hamasi ka konfirmuar se 4 komandatë të brigadës veriore të Gazës janë vrarë nga ushtria izraelite. Ndërsa ministria e Mbrojtjes së Izraelit ka deklaruar se gjatë bastisjeve në shtëpitë e anëtarëve të Hamasit, janë sekuestruar 1.3 milionë dollarë që kanë kaluar në buxhetin e shtetit.
Ndërkohë, qindra kamionë që transportonin ndihma humanitare vazhdojnë të hyjnë në Rripin e Gazës, të rrethuar dhe të shkatërruar nga shtatë javë bombardime intensive izraelite në hakmarrje për sulmin e përgjakshëm të Hamasit më 7 tetor.