Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se është “jashtëzakonisht e shqetësuar” për përhapjen e sëmundjeve në Gaza, me ardhjen e dimrit që do të përkeqësojë kushtet.

Tashmë ka më shumë se 70,000 raste të infeksionit akut të frymëmarrjes, tha Richard Peeperkorn, përfaqësuesi i saj në territorin e pushtuar palestinez. Gjithashtu, janë regjistruar 44,000 raste të tjera të diarresë.

Shifrat thuhet se janë dukshëm më të larta se sa pritej.

Javët e bombardimeve izraelite në Gaza kanë bërë që banorët në territorin e dendur të populluar të grumbullohen në strehimore ku ka pak akses në ushqim dhe ujë të pastër.

Shefi i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut paralajmëroi dje se shpërthimi i sëmundjeve dhe urisë dukej “i pashmangshëm”.

Ndërkohë, Human Rights Watch tha se mungesa e aksesit në ujë të pastër do të thotë se sëmundjet infektive që vijnë nga uji, si kolera dhe tifoja, së shpejti do të fillojnë të përhapen.

Grupi me bazë në Nju Jork i bëri thirrje Izraelit që menjëherë t’i japë fund bllokadës së Gazës.

Një sasi e kufizuar uji hyn në Gaza përmes Izraelit dhe Egjiptit, por shumica e njerëzve pinë nga furnizimi lokal me ujë – 96% e të cilit është “i papërshtatshëm për konsum njerëzor”, sipas OKB-së.

Ushtria izraelite po kërkon të shkatërrojë Hamasin pas sulmeve vdekjeprurëse të 7 tetorit në Izrael.