Juristi i njohur, Romeo Kara ka paralajmëruar telashe për ish-kryeministrit Sali Berisha, kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe bashkëshorten tij, Monika Kryemadhi. Si Berisha dhe Meta dyshohet se janë përfshirë në shumë afera korruptive e kriminale.

Madje për ta ka zërë se ata synojnë të arratisen nga frika e prangave të SPAK. Por për këto dhe të tjera çështje të nxehta sidomos ato që vijnë nga Prokuroria Speciale, ka folur edhe juristi Kara. Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zbuloi se është gati arrestimi i Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, teksa ka treguar dhe se pse procedurat e tyre të azilit janë bllokuar. Po ashtu, ai tregoi gabimin ligjor që do të çojë në prangosjen e Sali Berishës.

Ndër të tjera, zoti Kara në intervistën për “SOT” nxjerr detajet si në filma për pasurinë përrallore të Metës dhe Kryemadhit, ndërsa gjithashtu zbuloi si vetingu në politikë do ua marrë pasuritë dhe do pastrojë shtetin nga korrupsioni.

-Avokat Kara, a ka ardhur fundi i një epoke politike pas goditjes që i bëri SPAK familjes “Berisha”?

Padyshim që jemi në fundin e një epoke politike dhe historike dhe në fillimin e tjetre. Po përjetojmë pikërisht fillimin e fundit të kësaj epoke, të kapjes së shtetit nga pushteti, të monopolizimit të tregut politik dhe ekonomik nga monopolet dhe oligopolet politiko-ekonomike, të kriminalizimit të politikës, përvetësimit të pasurive publike, marrjes peng të shtetit dhe përmbysjes së vlerave universale morale. Epoka që po lëmë pas u ideua, projektua dhe startua pikërisht nga Berisha më 1992 dhe u vazhdua nga të gjithë pasardhësit e tij në pushtet.

Sali Berisha është kumbari dhe strumbullari i kësaj epoke turpi dhe shpërbërjesh të vlerave morale, të kësaj epoke që fatkeqësisht zgjati shumë më tepër se sa duhej dhe duke lënë pas një Shqipëri në ditë të hallit. Duke u kthyer në simbolin e kësaj epoke katrahure, padyshim që në të ardhmen kjo do të kujtohet kryesisht si epoka Berisha. Sali Berisha e ka pasur merak të hyjë në histori dhe besoj se ia arriti këtij qëllimi, por hyri nga dera e turpit në histori si gjakatar, inatçor, i pabesë dhe i korruptuar.

Besoj se historia kur të shkruhet në momente më të qeta sipas parametrave që imponon shkrimi i saj, do t’i ofrojë brezave të ardhshëm modelin Berisha si studim me qëllim mospërsëritjen kurrë të tij. Te jesh gjakatar, hajdut, mashtrues dhe zjarrvënës i vendit tënd dhe të imponohesh si hero në librin e historisë, kjo gjë është absurde dhe e pamundur. Ai do mbahet mend si heroi i kriminelëve dhe tradhtari i vendit të tij. Fatin e tij do ta kenë patjetër të gjithë të ngjashmit me të.

-Pse Berisha nuk pranon të paraqitet para SPAK? Mendoni se e ka nisur gabim luftën me drejtësinë?

Berisha është frikacak dhe si i tillë, ai gjithmonë do të përpiqet, që t’a shmangë përballjen me drejtësinë. Ai e di mirë se çfarë ka bërë dhe çfarë po heton SPAK-u për të, prandaj sheh si zgjidhje jo vetëm shmangien me pretekse procedurale, por edhe destabilizimin e krejt vendit. Jam i sigurt se, ëndrra e tij në këtë moment është shkatërrimi i vendit, fshirja e tij nga ekzistenca vetëm e vetëm që përballja e tij me drejtësinë të mos e shoh dritën e diellit.

Ai nuk ka as burrërinë dhe as të drejtën në anën e tij, që të shkojë me këmbët e tija në këtë përballje. Ai gjithashtu ka besuar vetë përrallën e tij se, ai është mbi palët, mbi popullin dhe mbi ligjin, prandaj për të nuk mund dhe nuk duhet të ketë kurrë një përballje ligjore, sidomos për korrupsion. Ai do mundohet që të luajë deri në fund vetëm politikisht, nëse prokuroria dhe gjykata do t’a tolerojnë atë. Sidoqoftë, ai e nisi proceduralisht me këmbën e majtë këtë përballje, pasi jo vetëm vërtetoi demagogjinë e tij lidhur me drejtësinë, por edhe provokoi përshkallëzimin e masave ligjore ndaj tij.

Shumë shpejt besoj se SPAK-u do t’i drejtohet Kuvendit për heqjen e imunitetit të tij dhe autorizimin e arrestimit të tij. Ligjërisht, shkaktari i arrestimit të tij, në një të ardhme të afërt do të jetë vetë ai. Duke parë sjelljen e tij jo dinjitoze përballë SPAK-ut dhe Gjykatës si dhe duke lexuar dosjen ne fjalë, mendoj se ditë më të vështira do të vijnë për të. Berisha tregoi se nuk njeh sistemin gjyqësor dhe procesin e ankimit në gjykatë, duke i lexuar vetes paradoksalisht gjykimin dhe vlerësimin e vendimit të gjykatës. Nëse këtë lëvizje e ka bërë i këshilluar, atëherë do të thosha që po, atë e kanë këshilluar shumë keq juridikisht.

-Dosja e SPAK për aferën e ish-kompleksit Partizani ka nxjerrë në skenë dhe bashkëpunëtorët demokratë me funksione të larta në PD, si rasti i Oerd Bylykbashit që është përdorur nga Berisha për të shantazhuar ushtarakët, a mendoni se kjo është një nga arsyet që shumë deputetë nuk po e braktisin Berishën pasi janë zhytur bashkë me të në afera?

Padyshim që Berisha përfaqëson një sistem të tërë abuzimi me pushtetin, gjë që ne e konstatojmë jo vetëm duke analizuar dosjen në fjalë, por edhe duke parë histerinë e grupimit të tij politik, i cili sheh tek mbijetesa e Berishës jo vetëm mbijetesën së tij politike, por edhe shmangien e dhënies llogari përpara ligjit.

Ka qenë një administratë e tërë, e cila ka qenë e angazhuar me kohë të plotë, për të realizuar me çdo mjet arritjen e qëllimeve të Berishës, duke përfshirë këtu edhe presionin për çdo institucion apo person që ka shprehur mosdakortësinë e tij lidhur me abuzimet berishiane. Të tillë e vlerësoj edhe rastin Bylykbashi, një rast i cili do të duhet të hetohet me kujdes, për të parë se si është iniciuar, pasi mund të mos kemi të bëjmë me një ankesë reale nga të quajturit ish-pronarë, por me një falsifikim të saj pasi sipas dosjes nuk ekziston në protokoll një ankesë e tillë.

Nuk kam asnjë dyshim se, liderët politikë të kësaj epoke, kanë mbledhur rreth vetes vetëm sejmene të tyre dhe jo njerëz të vlerësuar për integritetin, profesionalizmin dhe meritokracinë e tyre. Pikërisht ky standard amoral i të bërit karrierë, rrënoi sistemin e vlerave shoqërore në Shqipëri, gjë që i parapriu të gjitha krizave me pas dhe rritjes absurde të kultit të individit ndërkohë që aspironim për një demokraci, shtet të së drejtës dhe një sundim të ligjit.

-Si i shikoni pozitat e Ilir Metës pas goditjes së Berishës? A është i trembur nga drejtësia e re?

Fshati që duket, nuk do kallauz. Ilir Meta e di dhe e ndjen më së miri se tashmë fundi i tij ka ardhur dhe se përballja me ligjin do të realizohet nga momenti në moment. Meta është personi për të cilin të gjithë palët politike dhe jashtë saj, janë plotësisht dakord për këtë fund të tij. E konstatoj të trembur dhe të çoroditur plotësisht, aq sa nuk është në gjendje të artikuloje as edhe një argument të saktë në mbrojtje të vetvetes. Për më tepër, në horizont mund të kemi edhe një përballje ligjore të bashkëpunëtores së tij Kryemadhi, e cila me sa duket do ta shoqërojë Metën kudo ku ai do të ndodhet. Krushqia ngjan pa bëhet.

-Ju e njihni mirë Ilir Metën, mendoni se skenari i tij i fundit është arratisja nga vendi kur SPAK t’i trokasë në derë? Apo dhe jashtë vendit ia kanë mbyllur dyert e azilit?

Ilir Meta është një frikacak klasik, pavarësisht retorikës së tij infantile me terma trimërie. Padyshim që ai nuk ka as burrërinë dhe as shansin që të përballojë me sukses një kalvar të gjatë të pritshëm ligjor, lidhur me bëmat e tij të pafundme. A do të arratisej ai si miku i tij Ahmetaj, nëse do ti vinte ora e arrestimit? Padyshim që po, nëse do ta kishte këtë mundësi, por, me sa duket, askush në Europë, nuk do të donte të merrte riskun e strehimit të një ”koke të qelbur krimi”, si thoshte për të miku i tij Berisha më 2015.

-A duhet të shtrihet vetingu pasuror në politikë? Gjyqtarët ikin nga faturat e dritave, po deputetët që kanë vila në bregdet, makina luksoze e dhjetëra apartamente?

Padyshim që po. Po bëjmë vettingun në drejtësi, që të pastrojmë politikën, ndërkohë që duhej filluar me kohë edhe vettingu në politikë, nga e cila i kemi të gjitha pasojat e situatës ku jemi. Jo vetëm vetting në politikë, por kudo, në administratë, biznes, media dhe shoqëri. Ne kemi nevojë për një përballje me të vërtetat tona si shoqëri.

E keqja ka hyrë thellë, në çdo aspekt, prandaj duhet patjetër të ringrihemi mbi veten dhe ta pastrojmë atë. Ne duhet patjetër të bëjmë me çdo kusht dekriminalizimin e krejt shoqërisë, pasi përmbysja e vlerave, ku krimineli është krenar publikisht për ligësinë dhe i ndershmi fatkeq për virtytshmërinë, flasin për një krize morale të thellë që është nëna e të gjitha krizave shoqërore.

Nëse nuk anatemojmë si popull përmbysjen e vlerave morale, kurrë nuk do te mund të ndalojmë zhbërjen e vendit. Pikërisht për këtë qëllim, duhet kërkuar me forcë solidariteti i së mirës, si mjeti kryesor i realizimit të instalimit të drejtësisë. Demi duhet kapur prej brirësh. Kjo është koha kur politika duhet të heshtë dhe të flas populli, sovrani i vetëm i ligjshëm i këtij vendi.

-E bëjmë këtë pyetje për vetingun pasuror, pasi ka informacione se SPAK i ka zbuluar pasuri të fshehura Ilir Metës në dosjen e pastrimit të parave që po hetojnë prokurorët Arben Kraja dhe Sotir Kllapi. Thuhet se Meta përdor biznesmenë për të kamufluar pasuritë e tij marramendëse, madje ju keni zbuluar se ka pasuri dhe jashtë vendit? Si do të shkohet drejt zbulimit të këtyre pasurive dhe a do të jetë kt fundi për Ilir Metën dhe bashkëpunëtorët e tij?

Padyshim që Meta jeton në një luks që as e ka trashëguar dhe as e ka ngritur me punë të ligjshme. Për turpin e tij, ai dhe e gjithë politika janë pasuruar përtej imagjinatës ndërkohë që populli vuan si asnjë tjetër në Europë.

Duke menduar se do të jenë të përjetshëm sundues të fateve tona, ata kanë bërë gabime që kanë regjistruar pasuri të pajustifikueshme edhe në emrat e tyre, shlyer kredi të mëdha bankare në afate jashtëzakonisht të shkurtër kohore, apo shumëfishuar pasurinë jashtë çdo imagjinate. Si ka mundësi që këta politikanë si Meta, janë të aftë të dhjetëmijëfishojnë pasurinë e tyre, ndërkohë që nuk kanë aftësi qoftë edhe ta përmirësojnë 10% jetesën e popullit nën sundimin e tyre?

Thjesht ata janë zhytur në babëzinë e tyre dhe në garë me njeri- tjetrin se kush do ta rrjep më shumë këtë vend, ku fatkeqësisht për 30 vite u asgjësua institucioni i ndëshkimit ligjor. Njohim jo pak njerëz të pasur që kanë qëndruar afër Metës, apo kanë financuar partinë e tij ndërkohë që kanë përfituar para nga fondet publike. Kemi para financime të dyshimta për lobingje dhe operacione plastike. Kemi parë ditëlindje përrallore, me kosto qindra mijëra euro ku palmat transportoheshin me helikopter. Kemi parë luksin e vilave të tyre, i cili nuk na hiqet nga memoria edhe pse shpejt u kujdesen për ta hequr nga Youtube.

Kemi parë që paguhen 700 mije USD për një foto në Amerikë. Çdo gjë e kemi parë dhe çdo gjë e besojmë tani. Meta me shokë janë thjesht hajdutë, të cilët kanë përvetësuar dhe kanë me tepricë atë që iu mungon shqiptarëve dhe po presim me padurim që ata jo vetëm të dënohen, por edhe të depasurohen, duke na kthyer ne si popull atë që na kanë marrë. Pikërisht edhe për këtë arsye do të duhet të filloje sa me shpejt vettingu popullor. Kush ka pasur të pamerituar, të zhvishet prej saj.