I riu nga Fushë-Kruja, i arrestuar për llogari të Prokurorisë së Fierit, ka paraqitur alibi të fortë në gjykatë ditën e djeshme, teksa ndaj tij jepej masa e sigurisë.
Gjykata e Fierit e la në fuqi masën “arrest me burg” për 31-vjeçarin Elmir Tufa, i arrestuar katër ditë më parë për vrasjen e Shkëlzen Kastratit më 1 shkurt të dy vjetëve më parë. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata vendosi mbajtjen e të dyshuarit në qeli për vijimin e hetimeve, ndërkohë që avokati pretendoi se klienti i tij ka qenë në Gjykatën e Krujës ditën kur ka ndodhur ngjarja e rëndë. Për vrasjen e Kastratit është arrestuar dhe dënuar me 21 vite burg vetëm Albert Zaja, ndërkohë që dyshohen si pjesëmarrës edhe 2 persona të tjerë, të cilët vijojnë të jenë në kërkim.
Gjykata pret që prokuroria të nisë verifikimin e pretendimit të mbrojtësit ligjor të Tufës, duke parë jo vetëm praninë e të konsideruarit si një nga atentatorët ndaj Shkëlzen Kastratit, por edhe orën në të cilën ai është gjendur në vendin ku ai pretendon. I kërkuari u prangos nga forcat operacionale speciale më 2 nëntor, i cili ishte shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen me paramendim të biznesmenit Shkëlzen Kastrati, ngjarje e ndodhur në 1 shkurt të vitit 2021, në fshatin Sheq në Fier. 31-vjeçari ishte në kërkim prej më shumë se dy vjetësh, pasi Gjykata e Fierit i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”.
ATENTATI
Paraditen e 1 shkurtit 2021 biznesmeni Shkëlzen Kastrati po lëvizte me mjetin e tij tip “Benz” në fshatin Sheq të Fierit, ku kishte lokalin e tij kur u qëllua me breshëri kallashnikovi nga brenda një fuoristrade “Range Rover”. Kastrati ka ecur edhe disa metra me makinë duke u përplasur me një makinë tjetër që po kalonte aty. I arrestuari i parë për këtë atentat është Albert Zaja, i cili u prangos nga RENEA më 21 mars 2021 në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. Në listën e policisë si autor i ngjarjes përveç Albert Zajës që mohoi akuzën ishte edhe Elmir Tufa, i cili u kap në Fushë-Krujë sot më 2 nëntor.
Dy të dyshuarit si bashkëpunëtorë në krim, Elson Xhecuka 29 vjeç dhe Roland Cara 41 vjeç, janë ende në arrati. Ata dyshohen se janë pjesë e një grupi vrasësish me pagesë. Dy plumbat, një në krah dhe një në kokë i morën jetën biznesmenit Kastrati. Hetimet u përqendruan tek hakmarrja, pasi 5 vite më parë është tentuar të vritet në atentat, vëllai i tij, Klemend Kastrati. Nga ajo ngjarje humbi jetën Denis Kasaj nga Vlora, kurse Klemendi u plagos. Tentativa e eliminimit të tij u konsiderua për hakmarrje pasi nga hetimet e kryera në atë kohë ka rezultuar se Klemend Kastrati ishte i implikuar në një plagosje të vitit 2008, për shkak të një konflikti për makina, por ai u dyshua dhe për një vrasje të ndodhur në vitin 2012.