Kanë kaluar katër vite nga tërmeti dramatik i 26 nëntorit 2019 në Shqipëri, ku humbën jetën 51 persona dhe u plagosën qindfra të tjerë.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka përkujtuar këtë ditë tragjke për mijëra qytetarët e prekur nga pasojat e tërmetit.
“I paharruar kujtimi i viktimave të kësaj tragjedie që tronditi çdo kënd brenda dhe jashtë kufijve të vendit tonë”, shprehet ai.
Peleshi po ashtu solli në vëmendje edhe përkushtimin e Forcave të Armatosura për të ndihmuar të plagosurit të nxirreshin nga rrënojat.
“Mirënjohje për Forcat e Armatosura që patën një rol të pazëvendësueshëm në shërbim të vendit dhe qytetarëve”, u shpreh ai.
Në orët e para të 26 nëntorit, një tërmet i fortë me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda me epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit goditi vendin tonë.
Njëmbëdhjetë bashki u prekën, përfshirë dy më të mëdhatë në vend, Tiranën dhe Durrësin.
Lëkundjet e tokës, shkatërruan shtëpi, pallate, shkolla, ndërsa për orë të tëra ekipet e kërkim-shpëtimit kërkonin për të mbijetuarit të ngecur në rrënoja.
Tërmeti preku 202 mijë persona. Për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vjet.