Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një kopsht privat në Tiranë, ku është dhunuar fizikisht një 3-vjeçare.

Nëna e vajzës pretendon se e bija 3-vjeçe është dhunuar brenda kopshtit privat “Stinët” në rrugën “Kushtrimi i lirisë” në kryeqytet.

Ngjarja sipas saj ka ndodhur në datën 1 nëntor 2023, ku vajzës i është thyer këmba nga dhuna.

Dyshimet e hetuesve janë se mund të jetë lënduar gjatë kohës që ka qenë në gjumë. E mitura është vendosur për të fjetur në krevat në orën 12:21 minuta të datës 1 nëntor dhe është zgjuar nga gjumi në orën 15:03 minuta. Pasi është zgjuar, në pamjet e kamerave ajo shfaqet e shqetësuar dhe me dhimbje.

Gjatë kohës që ajo ka qenë në krevat, sipas hetuesve, në rrotullim e sipër në gjumë, mund të jetë lënduar në hapësirat e krevatit. Referimi në Prokurorinë e Tiranës është bërë me akuzën “keqtrajtimi i të miturve”, për shkak se edukatorja shfaqet qartë në pamjet e kamerave se e qëllon vajzën me vizore.

Ilir Hasmuça, kirurg ortoped në spitalin e Traumës tha në emisionin GoodMorning Albanians në Euronews Albania se gjymtyra e fëmijës nuk mund të thyhet kollaj përveçse me një goditje të fortë.

“Kofsha e fëmijës por edhe e të rriturit nuk thyhet kollaj, duhet një energji shumë e madhe. Duhet një mekanizëm goditjeje i tillë që të ketë aq energji sa për të thyer atë që është kocka më e gjatë dhe më e fortë e organizimit. Unë nuk mund të dal në konkluzione përfundimtare, nga grafia shihet një frakturë e qartë. Problem i madh do ishe sikur ne si mjekë nuk e diagnostikojmë si duhet, ne nuk jemi hetues. me atë lloj frakture është që një fëmijë nuk mund të ecë”, tha mjeku.