Rekordmenët e Bajernit nuk po përjetojnë mo mente të mira pas humbjes së beftë në raundin e dytë të Kupës së Gjermanisë kundër modestëve të Sarbryken. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga ajo ndeshje e hidhur, duket se pasojat janë në sipërfaqe. Prestigjiozja gjermane, “SPORT1”, ka zbuluar se në grupin e kampionëve ka pasur përplasje, konkretisht mes trajnerit Tomas Tuhel dhe mesfushorit Joshua Kimish.
MARRËDHËNIA ME GRUPIN- “E vështirë të flas në një moment të tillë. Nuk kam lexuar asgjë në media dhe s’jam i informuar rreth këtyre dyshimeve. Nëse kjo pyetje do të zinte vend, situata do të ishte ndryshe dhe ne do të çalonim në lojë e rezultate. Ju them me siguri të plotë se grupi është i bashkuar dhe në harmoni, ama të mendojë të tilla gjëra pak orë përpara ‘Klasikes’ do ta konsideroja gabim. Një humbje nuk ndryshon asgjë?! Kush e tha se jemi dorëzuar?! Kupa na befasoi, por kaq, prandaj ju them t’u qëndroni larg këtyre fjalëve të pabaza”, tha Tuhel.
ROLI I KIMISHIT- “Joshua ndihet rehat në mesfushë dhe jep maksimumin aty. Rëndësia e 28-vjeçarit është e padiskutueshme në organizimin e lojës sonë. Pa të ne na mungojnë topat e rrezikshëm. Na vjen keq që nuk do ta kemi në dy ndeshjet e radhës si shkak i pezullimit. Aktualisht kemi në dispozicion për ta zëvendësuar Laimerin dhe Pavloviçin. Kam besim se ekipi do ta mbushë hendekun e lënë nga mungesa e Kimishit në një takim kaq delikat”.
KUNDËRSHTARI- “Nevojitet ruajtja e rendimentit nga minuta e parë deri në të fundit. Kemi mjaftueshëm cilësi për ta përballuar, plus formën e mirë që vijmë në Bundesligë. Nuk kam dyshime se do të fitojmë sot, marrë në konsideratë forcën e ekipit dhe lidhjen në fazën ofensive”, pohoi shkurtimisht mbi këtë temë trajneri i rekordmenëve gjermanë.
RIKTHIMET- “Leon Gorecka nuk është aftësuar plotësisht, por mbetet si opsion. Ende nuk e kam të qartë nëse do ta hedh nga minuta e parë apo jo. Stërvitja e fundit para ndeshjes do të më qartësojë. Në rastin e Upamekanos situata është e mirë. Ai i ka kryer të gjitha ushtrimet dhe ka shfaqur formë të mirë fizike. Nuk dua të rrezikoj askënd”, përfundoi Tomas Tuhel.
Për teknikun e bavarezëve, dueli në fjalë do të jetë rikthim në “shtëpinë e vjetër”, pasi 50-vjeçari ka drejtuar në etapën 2015- 2017 rivalët më të mëdhenj të Bajernit, Borusia Dortmundin.