“Këtu në Vernante nuk ka ndodhur kurrë më parë diçka e tillë”. Komuniteti i komunës së vogël të Val Vermenagna është ende i tronditur nga vrasja e Klaudio Myrtajt, muratorit 34-vjeçar shqiptar, i cili u qëllua me një plumb pistolete në kokë pasditen e së shtunës. Ai po punonte në një punishte në qendër të fshatit kur u ekzekutua në rrethana ende misterioze. Një punë të cilën e bënte në kohë të lirë, për të ndihmuar një mikun e tij artizan, me restaurimin e mobiljeve apo punime druri.
Të shtunën e 4 Nëntorit ishte atje. Tragjedia ndodhi kur i zoti i punishtes u largua. Ishte një klient që e gjeti përtokë, me një plagë të rëndë në kokë. Klaudio ishte ende gjallë, por në agoni.
Prokurori i Cuneo, Onelio Dodero konfirmoi se vrasësi e ka qëlluar me një plumb në kokë 34-vjeçarin. Me mbërritjen e shërbimeve të emergjencës shqiptari merrte ende frymë, por i pamundur për të folur. Ai ndërroi jetë rrugës për në spital.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, hetuesit nuk përjashtojnë asnjë pistë. As atë të drogës, megjithatë kryesorja është ajo që lidhet me motive pasioni. Autoritetet e prokurorisë po vlerësojnë çdo hipotezë për të zbardhur vrasjen e shqiptarit. Pas vrasjes mund të qëndrojë edhe dora e një gruaje.
“Nuk ishte një e shtënë prej profesionisti. Kemi përballë një vrasje prej diletanti”. Kjo është e vetmja deklaratë e lëshuar nga kreu i zyrës së Prokurorisë së Cuneo. Autoritetet kanë qenë mjaft të rezervuar sa i takon hetimeve. Deri më tani nuk ka asnjë urdhërarrest të lëshuar, ndërsa karabinierët kanë marrë dëshmitë e disa personave, mes tyre edhe atë të partneres së shqiptarit.
Zona ku ndodhi ngjarja nuk është e mbuluar me telekamera, megjithatë ka disa kamera sigurie që janë të vendosura në afërsi. Këto të fundit janë sekuestruar nga autoritetet.
“Ishte një djalë i mirë”, thonë ata që e njihnin. “Duket se është vrarë për xhelozi. Po ça kuptimi ka. Të vdesësh kështu në moshën 34-vjeçare. Këtu në Vernante nuk ka ndodhur kurrë diçka e tillë”, shprehen banorë të zonës për mediat fqinje.
Këto të fundit shtojnë se Klaudion e njihnin të gjithë, ndonëse kishte pak muaj që jetonte në Vernante. Më herët kishte jetuar në Caraglio dhe punonte për kompaninë e ndërtimit të kushërinjve të tij.
“E njihja si pamje. Si të gjithë këtu fshat”, tregon famullitari don Luca Lanave. “Ky është një komunitet i vogël e i qetë. Kush e mendonte se mund të ndodhte diçka e tillë”, shton ai.
“Jemi të tronditur e të pikëlluar”, shprehet një tjetër banor. “Në një komunitet të vogël si i yni askush nuk e priste. Jemi ende të traumatizuar, përveç dhimbjes për viktimën. Ndodhi në mes të qendrës, fiks poshtë komunës. Uroj që të kapet personi përgjegjës. Kam besim të plotë te hetuesit”.