Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka miratuar pa asnjë votë kundër dhe abstenim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2024”.
Komisioni i Çështjeve Evropiane ka miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2024 dhe paketa fiskale.
Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, ka miratuar projektligjin e buxhetit, me disa ndryshime, ku shtohet me 6 miliardë lekë buxheti për Ministrinë e Infrastrukturës. Po ashtu 400 milionë lekë ulen nga buxheti i bujqësisë dhe i kalojnë bashkive për kullimin dhe ujitjen.
Këto ndryshime të pranuara nga Veprimtaria do ti kalojnë Komisionit të Ekonomisë për vendimin final.
Komisioni i Veprimtarisë miratoi pa ndryshime edhe 3 projektligje të paketës fiskale, projektligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë, projektligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.
Ndërsa projektligji për taksat kombëtare ka pasur kundërshtime nga bizneset por edhe Komisioni i Ekonomisë ka kërkuar të shtyhet vendimi për të rritur në mënyrë progresive të taksës. Por ministria e Financave tha se i qëndron propozimit fillestar pasi është në përputhje me direktivat e BE-së, dhe i shërben objektivit për të ulur emetimin e karbonit.
Pas këtij qëndrimi komisioni i veprimtarisë e votoi pa ndryshime këtë projektligj që rrit në mënyrë progresive taksën e karbonit për qymyrin.