Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën, më 13 nëntor, në Bruksel me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, për të diskutuar për një sërë temash me interes të përbashkët.

Ky është takim tradicional dhe atij do t’i prijë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Sipas paralajmërimeve nga BE-ja, temat kryesore do të jenë situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë dhe bashkëpunimi mes bllokut dhe vendeve të rajonit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.

Takimi zhvillohet disa ditë pasi Komisioni Evropian miratoi dhe publikoi paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit. Në to vlerësohet bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të shteteve të rajonit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, me përjashtim të Serbisë dhe në një masë edhe të Bosnje e Hercegovinës, pasi këto dy vende kanë nivel më të ulët të përshtatjes me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme.

Shtetet e tjera, sikurse Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një përshtatje pothuajse të plotë me qëndrimet e BE-së, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Edhe pse Kosova nuk ka detyrim formal, ajo po ashtu i ka mbështetur qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë. Kjo gjë është vlerësuar nga BE-ja.

Në prag të takimit të sotëm të ministrave të Jashtëm të BE-së me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, disa vende të BE-së kanë dërguar së bashku një “non-paper”, përmes së cilit kërkojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme para se këto shtete të bëhen anëtare të bllokut evropian.

Këtë letër e kanë nënshkruar Austria, Kroacia, Republika Çeke, Italia, Greqia, Sllovenia dhe Sllovakia. Këto shtete kanë propozuar që ministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor të ftohen më shpesh në takime me kolegët e tyre nga BE-ja, përfshirë edhe në takime joformale dy herë në vit. Po ashtu, ata kanë propozuar edhe pjesëmarrjen e kohëpaskohshme të përfaqësuesve të shteteve të rajonit në takimet e Komitetit për siguri dhe politikë të BE-së.

Në kohën kur rrisin bashkëpunimin me shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga BE-ja kërkojnë që edhe brenda rajonit të ketë një bashkëpunim të madh dhe zgjidhje përmes dialogut dhe bashkëpunimit të problemeve që këto shtete kanë mes tyre. Kjo veçmas vlen për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas diplomatëve të BE-së, marrëdhëniet jo të mira mes këtyre dy shteteve e rëndojnë edhe situatën në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Para se të takohen me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, ministrat e Jashtëm të BE-së do të zhvillojnë një takim në Këshillin e Punëve të Jashtme, ku temë kryesore do të jetë konflikti Izrael-Hamas dhe situata humanitare në Rripin e Gazës. Lufta atje ka nisur më 7 tetor, pasi Hamasi – që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuar dhe BE-ja – nisi sulme në jug të Izraelit./REL