Prokuroria e Posaçme zyrtarizoi sot hetimin për ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, lidhur me koncesionin e sterilizimit, kontrata koncensionare 10 vjeçare afro 100 milionë dollarëshe e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vijon.
Ish ministri i Shëndetësisë do të hetohet për ‘shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim’ në procedurat e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, nën masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” dhe “ndalim të udhëtimit jashtë”
Burime të Report Tv konfirmojnë se Ilir Beqaj ka dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtorit për Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) pak minuta pasi u mesua se ndaj tij u zyrtarizuan hetimet.
Vendimi për caktimin e masës së sigurimit personal është firmosur më 16 nëntor nga GJKKO ndërsa është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit një ditë më parë.
Ish ministri urdhërohet si person nën hetim që të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.
Në vazhdim të hetimeve për këtë procedim penal, me kërkesën të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.119 akti datë 16.11.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:
· Caktimin ndaj personit nën hetim I.B. me detyrë ish-Ministër i Shëndetësisë, të masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Urdhërohet personin nën hetim I. B. që të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.
Urdhërohet personin nën hetim I.B. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim I.B.
Prej 17 gushtit 2023 të arrestuar me masë sigurie burg janë ish zv/ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, ndërsa 6 të tjerë janë në hetim në masa sigurie ‘arrest me shtëpie’ ose ‘detyrim me paraqitje’
Në deklaratat e tij Beqaj ka mbrojtur koncesionin e sterilizimit si të nevojshme për të bërë sterilizimin e pajisjeve mjekësore, pasi centrali i sterilizimit në QSUT nuk mbulonte nevojat për të gjitha spitalet në vend.