Sonte në 20:45 stadiumi “St. Jakob-Park” do të jetë pritës i sfidës mes Zvicrës dhe Kombëtares së Kosovës, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian Euro 2024.
“Dardanët” do të synojnë me çdo kusht fitoren sot, e cila do t’ua mbante gjallë shpresat për kualifikim në Evropianin e vitit 2024 në Gjermani.
Në xhiron e fundit të zhvilluar në këtë garë, Kosova e mposhti Izraelin 1:0, kurse Zvicra barazoi 1:1 po ashtu me Izraelin.
Momentalisht, Zvicra zë vendin e parë në Grupin I në kuotën e 16 pikëve, aq sa ka edhe Rumania në vendin e dytë, kurse Kosova renditet në vendin e katërt me 10 pikë.
Takimi i fundit mes këtyre dy kombëtareve daton në muajin shtator të këtij viti, ku asokohe në Prishtinë, Kosova barazoi 2:2 me Zvicrën.