Në Gjirokastër kostumet tradicionale po rikthehen prej mjeshtërve lokalë duke u bërë pjesë e jetës tradicionale e ngjarjeve dhe festave.
Gjirokastra me shtatë zona etnografike kishte të zhdukur pothuajse deri tek ekzemplarët e fundit më shumë se dhjetë kostume të zonave të ndryshme. Lizeta Hatika që po risjell në jetë elementë të veshjes të disa zonave ka nisur qëndisjen e tyre për grupet folklorike të shkollave si një mundësi për përcjelljen e traditës dhe bartjen e saj më tej. Tri kostume të vajzave të zonës së Lunxhërisë ju dhuruan shkollës Petro Poga në njësinë Cepo për të mbështetur grupin të rinjve.
“Më emocionoi shumë sepse unë jam e para që e provoj këtë kostum pasi ai ishte i zhdukur. Ne me grupin jemi marrë shumë me këngën dhe kemi marrë pjesë në aktivitete të mëdha”, u shpreh një nxënëse.
Kostumi i vajzës së Lunxhërisë i zhdukur prej gati 70 vjetësh rikthehet për herë të parë me ngjyrat dhe motivet origjinale të saj e kuruar edhe nga ekspertë të etnografisë. Referencat për elementët sipas saj janë marrë edhe nga katalogët e hershëm fotografikë si dhe nga banorët e kësaj krahine.
“ Ky është kostumi i vajzës lunxhote 14 vjeçare. Jemi shumë të lumtur që arritëm ta nxirrnim mbi bazë fotografish dhe mbi gojëdhënat që mblodhëm në fshat për ngjyrën dhe për mënyrën e të punuarit. Është hera e parë që sjellim kostumin e vajzës 14vjeçare se gjithmonë është prezantuar nëpër koncerte dhe festivale me kostumin e moshës së dytë dhe të tretë sepse vetëm ato kostume kishin ngelur, jo kostumi i parë”, tha artizania Lizeta Hatika.
Koço Vasili drejtues i Ansamblit “Lunxhëria” ka punuar me të rinjtë përgjatë dy viteve të fundit për të krijuar gjeneratën që do të përcjellë traditën në këtë zonë por sipas tij folklori pa kostumet nuk ekziston kështu që vështirësitë kanë qenë të shumta.
“Me fëmijët e shkollës “Petro Poga” kam filluar një kurs për mësimin e këngëve tradicionale përgjatë dy viteve të fundit. Ne arritëm me këtë shkollë të përfaqësojmë zonën në shkallët e para të Festivalit Folklorik Kombëtar. Ne realizuam tre kostume lunxhote që ja dorëzuam sot shkollës. Kuptohet që puna duhet të vazhdojë, grupi duhet të perfeksionohet në zëra e në kostume për të ngritur një fidanishte që do të garantojë vazhdimësinë e këngës dhe valles”, u shpreh Koço Vasili.
Më parë Lizeta Hatika, punoi rreth tre vjet e asistuar nga artisti dhe etnografi Stavri Çati për të risjellë të plotë pirpirinë e rrallë të qytetit të Gjirokastrës gjithashtu e zhdukur që prej viteve ‘80.
Festivali i fundit Folklorik i mbajtur në Gjirokastër bëri prezente përpjekjet e grupeve folklorike për të risjellë elementë të shuar të traditës që nga kalcat e burrave, bohçet e grave, përparëset, shamitë, kamishat dhe opingat e qëndisura. Ekspertët pranojnë se me vitet shumë materiale po ndryshojnë për shkak të humbjes së prodhuesve të shajakut e përpunuesve të leshit por besohet se humbja e pandalshme e elementëve të trashëgimisë që vihej re gati një dekade më parë tashmë është ndërprerë.