Rosario Peta, kryetari i bashkisë së Piana dei Albanesi kërkoi gjatë emisionit “Review” në Euronews Albania një linjë direkte fluturimi Palermo-Tiranë, gjë që do të mundësonte një lidhje më të ngushtë dhe integrimin më të shpejtë të arbëreshëve në Shqipëri.
Sipas tij është shumë e nevojshme lidhja me vendin dhe një linjë direkte fluturimi do ta mundësonte këtë.
“Një shërbesë shumë e rëndësishme për të gjithë ne është të jemi lidhur ne arbëreshët, ne diaspora shqiptare që jemi në botë, me qeverinë e Shqipërisë, e kemi të domosdoshme këtë . Më parë se italianë, siçilianë, ne jemi arbëreshë. Ne duhet të lidhemi me mëmën Shqipëri, është shumë e nevojshme. Duhet ndërtuar një linjë direkte Palermo-Tirana. Në Siçili 5 qytete arbëreshe janë të gjitha në provincën e Palermos. Ka shumë shqiptarë,” – u shpreh Peta.