Një nga objektivat madhore të revolucionit të Berishës u arrit. Ideja që pushteti të përmbyset duke përmbysur karriget nuk duket ide e keqe. Është e thjeshtë, pa kosto të mëdha, përveç ndonjë të share nën dhëmbë të deputetëve që mbeten në këmbë.
Fotografia është shumë e bukur. Gjithë pushteti mbetet pa karrige në këmbë, ndërsa gjithë opozita është e ulur në karriget e pushtetit. Nuk pati ndonjë kosto të madhe. Hynë pak më shpejt në sale, u përmbysën karriget, lanë roje disa femra që të mos i prekin me dorë deputetët e PS, se janë namuzlinjë dhe ja ku u përmbys pushteti. Gjithë ato lodhje të pafundme, protesta, kërcënime, fushata elektorale, para të harxhuara, shpallje “non grata” e gjithçka tjetër, u arrit për 30 minuta në Kuvend. Madje këtu me një gur vret dy zogj, edhe përmbys pushtetin e Edi Ramës, edhe mban larg pushtetin e Lulzim Bashës që nuk hyn dot në sale, se dhe atij ja kanë zënë karriget. Dhe për këtë ka meritë Sali Berisha. Po të mos ishte Sali Berisha në krye të kësaj opozite, kurrë nuk do ishte arritur kjo fitore.
E para, nuk do ishte arritur, pasi nëse do kishin një kryetar normal që nuk do ishte “non grata”, ai nuk do ishte në makth, nuk do ishte gjithë kohën nën alarm, nuk do kishte gjithë ditën në gojë trojet, pallatet, kullat e çdo gjë tjetër që i kujton drejtësinë. Do ishte një kryetar normal, që do shkonte në Kuvend të diskutonte kot, jo taksat kaq, jo buxheti aq, jo pse e keni dyfishuar, pse nuk e keni trefishuar, pse i keni rrit rrogat 50 për qind e jo 100 për qind, pse i keni rrogat më të ulëta se në Gjermani, se na ikin punëtorët në Gjermani dhe gjëra të tilla bajate që nuk i dëgjon njeri. Pra fati është që kanë në krye Berishën, i cili nuk ka ndërmend të humbasë kohën me budallallëqe të tilla e diskutime në Kuvend, por është në aksion për të marrë pushtetin dhe e përmbysi pushtetin aktual nga karriget për 30 minuta.
E dyta, nëse nuk do ishte Berisha kryetar i kësaj partie, dhe nëse ai nuk do kishte djalë Shkëlzenin apo vajzë Argitën, nuk do kishte akuza as për Gërdecin, as për boronicat, as hetim pasuror, as hetim për 17 kullat e vajzës, as hetim për firmat e tij si kryeministër dhe jeta në Kuvend do ishte monotone dhe Edi Rama nuk do shqetësohej kurrë. Por për fatin e zi të Edi Ramës dhe fatin e mirë të opozitës, janë gjithë këto probleme të Berishës dhe fëmijëve të tij me drejtësinë, që mbajnë lart gatishmërinë revolucionare të opozitës dhe e detyrojnë atë të hidhet në aksion në moshën 80 vjeçare dhe të përmbysë karriget e pushtetit për 30 minuta.
E treta, nëse nuk do ishte Berisha në krye të opozitës dhe nëse nuk do kishte takim çdo dy të hëna në orën 10 në SPAK, jeta opozitare do ishte monotone dhe tani do ishin duke diskutuar gjëra të rëndomta, që lidhen me buxhetin apo PPP, koncesionet, borxhin publik e banalitete të tjera.
Falë SPAK, në Kuvend temat janë bërë më serioze. Salianji fjala vjen ishte gati të digjte dhe gishtat e fundit që i kanë mbetur pa bërë pis, duke mbajtur flakadanin në dorë, vetëm e vetëm që dikush nga drejtësia ta shikojë me kë ka të bëjë. Është kjo arsyeja që ai po thyen rekord botëror në mosndëshkueshmëri, pasi ka dy vjet që është dënuar me burg dhe kërcënon për dy vjet gjyqtaren që nuk shqipton vendimin, por fshihet. Ai flakadan në ato duar është kushtrimi real se si mposhtet drejtësia dhe një paralajmërim se me kë ka të bëjë drejtësia, nëse vepron ndaj tij dhe Berishës.
Ka dhe shumë arsye të tjera të forta që e bëjnë aq bindës faktin që ky pushtet u përmbys 30 minuta vetëm nga fakti që Berisha është kryetar opozite, por nuk ja vlen t’i rreshtojmë të gjitha. Në fund të fundit vlen ajo që u pa, që ai arriti të përmbysë karriget e pushtetit. I vuri karriget njëra mbi tjetrën, e la pushtetin në këmbë dhe vet u ul në karrige. Dhe nuk është pak të jesh 30 minuta ulur në karrige, kurse pushteti të rrijë në këmbë. Nëse këtë e bën çdo javë, pak nga pak mund të bëjë 8 orë në pushtet për 24 javë, që i bie afërsisht gjashtë muaj periudha kohore, ose një ditë në pushtet, në gjashtë muaj.
Pastaj në fund të 30 minutëshit, dikush i kujton se duhet t’i çojë dhëndrit supë në burg, dhe se ajo vajza e pret të hënën në SPAK. Këtu Berisha harron që e ka përmbysur pushtetin dhe ulërin se do futet në grevë urie. Kjo është zgjidhje e mirë, se nuk ka nevojë që familja të çojë supë dhe në burg, dhe në grevë. Të paktën shpëtojnë një pjatë supë, dhe ky është një privilegj që kanë vetëm pasi kanë “përmbysur” karriget e pushtetit. Por e gjithë kjo nuk do ishte e nevojshme nëse shkon në gjykatë dhe e fiton aty betejën e tij, të djalit dhe të vajzës, që janë akuzuar si hajdutë. Duke shkatërruar karriget vetëm i keni dhënë shans Linditës të bëjë një tender të ri për to.