Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përsëriti kundërshtimin e Uashingtonit që Izraeli të ri-okuponte Rripin e Gazës pasi të ketë përfunduar lufta me Hamasin. “Populli palestinez duhet të jetë kryesor për qeverisjen në Gaza si dhe në Bregun Perëndimor”, tha Blinken në konferencë shtypi gjatë një takimi të G7.
“Gaza nuk mund të vazhdojë të drejtohet nga Hamasi”. Por, kundërshtimi i deklaruar nga Uashingtoni që Izraeli të rimarrë kontrollin e Gazës ngre një pyetje kyçe: Kush mund të udhëheqë Rripin e Gazës pa prezencën e Hamasit? Udhëtimi i fundit i Blinken për të takuar udhëheqësin e Autoritetit Palestinez (PA) Mahmoud Abbas mund të sigurojë një pikëpamje rreth asaj se çfarë mendon SHBA-ja në këtë drejtim, raporton France 24.
Më 5 nëntor, Blinken kaloi nëpër postblloqe izraelite në rrugën e tij për në Ramallah në Bregun Perëndimor për t’u takuar me Abbasin, udhëtimi i tij i dytë në rajon që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas më 7 tetor dhe i pari në kryeqytetin administrativ palestinez. Sekretari amerikan i shtetit tha se SHBA-ja do të dëshironte që Autoriteti Palestinez të luante një rol qendror në Gazën “post-Hamas”.
Por, sipas mediave palestineze, Abbas i tha Blinkenit se Rripi i Gazës është një pjesë integrale e shtetit të Palestinës dhe se AP mund të ketë një rol atje vetëm nëse Izraeli i jep fund pushtimit të të dy territoreve palestineze brenda kornizës së një “zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse që përfshin të gjithë Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor dhe Rripin e Gazës”. “Nuk ka fjalë për të përshkruar luftën ‘gjenocidale’ dhe shkatërrimin që populli ynë palestinez në Gaza po përballon nga makineria e luftës izraelite, pa marrë parasysh ligjin ndërkombëtar”, shtoi Abbas.
Autoriteti Palestinez në vitin 2023
Autoriteti Palestinez u krijua në vitin 1994 si pasojë e Marrëveshjes së Oslos, dhe Yasser Arafat u zgjodh president i AP-së dy vjet më vonë.
Sot AP ushtron zyrtarisht autoritet mbi vetëm 18 për qind të Bregut Perëndimor, i njohur si “Zona A”. Pjesa e mbetur prej 82 për qind, e ndarë në Zonat “B” dhe “C”, kontrollohet ose së bashku me Izraelin ose tërësisht nga Izraeli.
Përballë krizës më të madhe në dekada, pasardhësi i Arafatit duket më i pafuqishëm se kurrë. PA humbi kontrollin në Rripin e Gazës që kur Hamasi arriti të fitojë në zgjedhjet legjislative të vitit 2006 dhe fitorja e tij pasuese në Betejën e Gazës, bëri që grupi islamik të merrte kontrollin e plotë të enklavës në vitin 2007.
Në mesin e palestinezëve, PA shihet si jo e famshme, e korruptuar, represive dhe në shërbim të Izraelit. Por, ajo ka një strukturë politike gjysmë funksionale, një administratë civile dhe shërbime të sigurisë dhe inteligjencës. Ajo gjithashtu merr mbështetje financiare nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, si dhe nga Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Ligës Arabe.
Ekzistojnë të dhëna të kufizuara në dispozicion për organin palestinez të sigurisë në Bregun Perëndimor, por forcat e tij mendohet të jenë në dhjetëra mijëra. Këto forca janë të ndara në disa agjenci – duke përfshirë Policinë Civile Palestineze, Forcat e Sigurisë Kombëtare dhe Forcën e Sigurisë Parandaluese të Brendshme, që përfshin gardën presidenciale – disa prej të cilave janë të pajisura me automjete të blinduara të lehta.
Të gjitha këto forca besnike të Abbasit janë të kufizuara në zona të caktuara të Bregut Perëndimor dhe janë angazhuar në bashkëpunim të vazhdueshëm të sigurisë me shtetin izraelit.
“Bashkëpunimi midis shërbimeve [të sigurisë] palestineze dhe izraelite është i gjerë dhe i ka rezistuar çdo sfide. Sa herë që Mahmoud Abbas ka dashur të pezullojë bashkëpunimin për sigurinë, amerikanët e kanë kundërshtuar atë”, thotë Jean-Paul Chagnollaud drejtor i Institutit për Kërkime dhe Studime për Mesdheun dhe Lindjen e Mesme me qendër në Paris.
“Është një marrëdhënie pothuajse organike dhe për shumë palestinezë, bashkëpunimi për sigurinë vjen pa kthim politik. Kjo është arsyeja pse shumë akuzojnë Autoritetin Palestinez për një lloj bashkëpunimi”. Chagnollaud thotë se ideja që PA të kthehej në Gaza – me automjete të blinduara izraelite – si pjesë e një ushtrie pushtuese do të ishte e papranueshme për shumicën e palestinezëve dhe politikisht e paqëndrueshme për Abbasin dhe qeverinë e tij.
A mundet Autoriteti Palestinez të qeverisë sërish Gazën?
Frederic Encel, një specialist në politikën e Lindjes së Mesme në Universitetin Sciences Po në Paris, thotë se kthimi i Autoritetit Palestinez në Gaza është zgjidhja e vetme e mundshme. “Izraeli nuk ka legjitimitet dhe nuk ka asnjë qëllim për të ripushtuar, e lëre më të aneksojë, enklavën”, thotë ai. “Egjipti, i cili e pushtoi atë deri në vitin 1967, nuk ka asnjë interes të marrë përgjegjësinë. Dhe asnjë shtet nuk do të dërgojë trupa paqeruajtëse për të kontrolluar Rripin e Gazës”.
Megjithatë, që një kthim i Autoritetit Palestinez të jetë i mundur, duhet të plotësohen shumë parakushte. “Kushti i parë, i cili nuk është i lehtë, është çmilitarizimi i forcave kryesore të Hamasit, largimi i raketave dhe veçanërisht i çdo sulmuesi që mund të hyjë në Izrael. Për sa kohë që ky kusht mbetet i paplotësuar, izraelitët nuk do ta ndalojnë luftën”, thotë Encel.
“Kushti i dytë është mbështetja masive nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe e treta është që qeveria aktuale izraelite [e Benyamin Netanyahut] të shembet në një afat të shkurtër”. Encel është “pak optimist” se këto kushte mund të vendosen, veçanërisht duke pasur parasysh rënien e vlerësimit të miratimit të Netanyahut pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor.
SHBA-ja vendos bastet për Abbasin
Shtetet e Bashkuara do të dëshironin që një “Autoritet Palestinez efektiv dhe i rigjallëruar të marrë përsëri qeverisjen dhe në fund përgjegjësinë e sigurisë në Gaza”, siç tha Blinken në një seancë dëgjimore në Senat në fund të tetorit. Por shpresa e administratës Biden përballet me pengesa të qarta, kryesisht për shkak të Hamasit.
Osama Hamdan, një nga udhëheqësit e Hamasit me bazë në Liban tha të hënën se populli i tij “nuk do të lejojë që SHBA-ja të imponojë planet e saj për të krijuar një administratë që i përshtate asaj dhe Izraelit”. “Populli ynë nuk do të pranojë një qeveri të re Vichy” – një referencë për qeverinë kolaboracioniste që kontrolloi Francën veriore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, projekti amerikan përballet gjithashtu me kundërshtime nga pala izraelite.
Netanyahu hodhi poshtë edhe një herë mundësinë e një armëpushimi në Gaza të hënën. Ai premtoi se Izraeli do të merrte “përgjegjësinë e përgjithshme të sigurisë” në enklavë pas luftës, duke shkaktuar një raund mohimesh nga Washingtoni, i cili bëri të qartë se nuk do të mbështeste një ri-okupim izraelit të Gazës.