Agjencia e Trajtimit të Pronave ka reaguar sot lidhur me vendimin e dhënë 4 ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese që vendosi pranimin e kërkesës së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për zbatimin e ligjit për kompensimin e pronave, konkretisht ligji nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Në deklaratën e bërë, përmes një postimi në facebook, Agjencia e Trajtimit të Pronave nënvizon se ky vendim vë në pikëpyetje një prej proceseve më të rëndësishme të shtetit shqiptar që prej vitit 1993 kur nga Kuvendi u ndërmorën hapat e para në drejtim të zgjidhjes së çështjeve që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera padrejtësisht nga shteti komunist prej datës 29.11.1944.

“Ky ligj, miratuar për trajtimin e pronës dhe procesin e kompensimit të pronave, ka shërbyer si hap i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjeve të shpronësuar nga shteti komunist. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, procesi i trajtimit të 7000 dosjeve të patrajtuara është pezulluar, duke vënë në pikëpyetje një nga proceset më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Ligji Nr.77/2022 garantonte rivlerësimin e vendimeve dhe procesit të kompensimit, duke sjellë publikimin e 3876 vendimeve për njohjen e të drejtës së kompensimit”, sqaron ATP.

Sipas ATP, pezullimi aktual i këtij ligji do të rezultojë në vonesa dhe në shtyrje të zgjidhjes përfundimtare për procesin e kompensimit pasi digjet fondi i vitit 2023 i caktuar nga qeveria.
“Kjo ndikon jo vetëm pronarët, por gjithashtu shoqërinë shqiptare në tërësi. Fondi i kompensimit për vitin 2023, i cili do të përdorej për kompensim financiar, tani do të pësojë djegie në vlerën 2.340.000.000 lekë. Në respekt të plotë ndaj pavarësisë së sistemit gjyqësor, duke u nisur vetëm nga ndjeshmëria e opinionit publik, vlerësojmë se shqyrtimi me përparësi i kësaj çështje nga ana e Gjykatës Kushtetuese është i një rëndësie jetike për përfundimin e procesit të kompensimit”, përfundon reagimin zyrtar Agjencia e Trajtimit të Pronave.

Kujtojmë se në 9 nëntor, Kushtetuesja pranoi kërkesën e KSHM duke e kaluar për gjykim dhe deri në vendimin final, pezullohet zbatimi i ndryshimeve në ligjin për pronat që u miratuan vitin e kaluar. Kështu vendosi që çështja të kalojë për shqyrtim në seancë plenare publike.