Tiranë, 6 Nëntor – Ngrihet një qendër kërkimore në fushën e energjisë së rinovueshme, falë investimit në laboratorin e ri të Departamentit të Energjisë në Universitetin Politeknik të Tiranës, një financim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, nëpërmjet Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovaconit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, tha se financimi i laboratorëve për jetësimin e praktikave në universitete është në fokus të punës dhe investimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Investimi në laboratorin e ri, ka mundësuar që të krijohet një qendër shkencore e specializuar me pajisje kërkimore dhe eksperimentale për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme si energjia diellore, energjia e erës dhe energjia gjeotermale.

“Në Departamentin e Energjisë tashmë ky laborator i ka të gjitha pajisjet e duhura, për një ndër fushat më të rëndësishme dhe me interes strategjik, jo vetëm sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit më raport me paketën e energjisë së gjelbër, por mbi të gjitha, me ato prioritete ndërkombëtare që janë vendosur, përsa i përket mbështetjes që secili nga vendet duhet të japë sa i përket energjive të rinovueshme”,- tha Ministrja Manastirliu.

Gjatë vizitës në Universitetin Politeknik të Tiranës, Ministrja Manastirliu tha se për vitin 2023 janë 90 projekte të kërkimit shkencor dhe 17 projekte të infrastrukturës akademike të financuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Ndërsa me buxhetin e ri do të ketë sërish investime të rëndësishme për kërkimin shkencor. Investimi në Universitetin Politektik, do të mundësojë zhvillimin e teknologjive të reja dhe inovative në fushën e energjisë së rinovueshme dhe do të kontribuojë në përmirësimin e njohurive dhe kapaciteteve të studentëve dhe stafit akademik në UPT.