Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas vrasjes së bashkëshortes së ish-këshilltarit të tij, Naim Murseli.

Behgjet Pacolli, në një postim në rrjetet sociale, shkruan se vrasja e 33-vjeçares Liridona brenda makinës, është në lajm i tmerrshëm dhe tragjedi për familjen Murseli.

“Lajm i tmerrshëm për tragjedinë në familjen e Naim Murselit. Dhimbjen e ndaj me dy familjet e të ndjerës Liridona”, shkruan politikani.

Dyshohet se viktima është vrarë nga grabitës rreth orës 20:26 të mbrëmjes së të mërkurës.

Liridona Murseli po udhëtonte me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre në rrugën Dlip Alshiq në kryeqytetin e Kosovës kur dyshohet se një person i panjohur i ka ndaluar dhe u ka kërkuar sendet me vlerë. Naim Murseli ka arritur të largohet nga makina me dy djemtë, ndërsa 33-vjeçarja është qëlluar për vdekje, sipas raportimeve.

“Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 – 20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje.
Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, raporton policia e Kosovës.