Në kryeqytet është duke u zhvilluar edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Tirana 2023”, me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese.

Shumë personalitete të artit, medias dhe politikës kanë vizituar panairin duke i dhënë formë reale edhe motos së këtij eventi kulturor: “Libri na bashkon të gjithëve”.

Ministrja Elisa Spiropali, e pranishme ditën e sotme në Panairin e Librit bashkë me dy fëmijët e saj, Nalta dhe Kren, ka ndarë me ndjekësit disa momente të veçanta nga kjo vizitë shoqëruar me një mesazh të fortë.

Statusi i ministres Spiropali:

“Lexo të njohësh veten.
Lexo të afrohesh me botën.
Lexo të luftosh vetminë.
Lexo të ndihesh i lumtur.
Lexo të mbash larg banalitetin.
Lexo të pranosh dhe pakësosh trishtimin.
Lexo të mahnitesh me mendjen njerëzore.
Lexo ta kuptosh dhe përballosh të ligën.
Lexo të adhurosh të mirën.

*Panairi i 26-të i Librit “

Panairi i përvitshëm i librit mbledh bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, ku njihen me botimet e reja, diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitetet të tjera me të autorë dhe studiues.

Panairi i parë i librit në Tiranë ishte panairi “Tirana 1998”, i organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht.