“Ne duhet të punojmë për një armëpushim në Gaza,” tha Emmanuel Macron, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mobilizohet menjëherë.

“Në të ardhmen e afërt, ne duhet të punojmë për të mbrojtur civilët. Kjo do të thotë se ne duhet të punojmë për një armëpushim”, tha presidenti francez.

Qëllimi i konferencës humanitare që po mbahet sot është të ofrojë ndihmë të menjëhershme për popullin e Gazës, e cila është bërë thuajse e pamundur nga bombardimet e pandërprera izraelite që nga sulmi i befasishëm nga Hamasi më 7 tetor.

Siç raporton gazeta “Le Figaro”, qeveria izraelite nuk është e përfaqësuar në konferencën e organizuar në Champs Elysees, por kreu i shtetit francez ka biseduar të martën me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ata do të bisedojnë sërish sot.

Për Izraelin, “Nuk ka krizë humanitare në Rripin e Gazës”, tha sot një zyrtar ushtarak izraelit, duke pranuar vështirësitë me të cilat po përballen civilët në territoret palestineze ku ata jetojnë ndërsa lufta Izrael-Hamas vazhdon të përshkallëzohet.

Izraeli “po lehtëson dërgimin e ndihmave humanitare”, tha koloneli Moshe Tetro, shefi i organit të Ministrisë izraelite të Mbrojtjes në Gaza që mbikëqyr aktivitetet civile në territoret palestineze.

“Ne e dimë se situata e civilëve në Rripin e Gazës nuk është e lehtë,” shtoi ai.

Ajo që do të thuhet në konferencë po vëzhgohet nga afër nga organizatat humanitare, të cilat ankohen për pamundësinë e dhënies së ndihmës ndërkohë që bombardimet në Gaza vazhdojnë.

Trembëdhjetë OJQ kërkuan një “armëpushim të menjëhershëm”, duke kërkuar “të garantohet hyrja e ndihmave në Gaza dhe respektimi i ligjit ndërkombëtar humanitar”.

Sipas OKB-së, ndihma humanitare për banorët e Gazës dhe Bregut Perëndimor arrin në 1.2 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2023.