Tiranë, 8 nëntor – “Kemi prioritet ngritjen dhe aplikimin e një programi kombëtar për trajnimin e mësuesve në shkenca dhe në teknologji, për të rritur nivelin profesional të mësuesve”,- tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu gjatë bashkëbisedimit me mësuesit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, në vijim të turit dëgjesave me mësues, prindër dhe nxënës.
Ministrja Manastirliu tha se Programi Kombëtar i Trajnimit të Mësuesve do të do të jetë me dy faza.
“Është një platformë, e cila do të përfshijë në fazën e parë të këtij procesi, mësuesit e shkencave dhe mësuesit e TIK, më pas ky program kombëtar do të zhvillohet edhe në
lëndët që janë prioritet absolut, si gjuhë-letërsia dhe lëndë të tjera. Na nevojitet një program kombëtar për trajnimin e mësuesve, specifikisht për të rritur nivelin e mësueve, profesionistëve tanë në të gjithë territorin, duke patur fokus të mësuesit të cilët janë të angazhuar në mësimdhënie në zonat rurale, por edhe në ato zona, ku klasat janë me një numër të lartë nxënësish”,- theksoi Ministrja Manastirliu nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi”.

Gjatë këtij takimi, Ministrja Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar, të cilët do të kenë rritje domethënëse të pagave me buxhetin e ri.
“Në të gjithë nivelet e arsimit parauniversitar, për vitin 2024 do të kemi rritje të pagave për mësuesit. Tashmë jemi zotuar në këtë angazhim 2-vjeçar në reformën e rritjes së pagave për të gjithë profesionistët, sepse ju meritoni shumë dhe vlerësimi ynë për ju do të jetë maksimal përgjatë 2024 me buxhetin e ri”,- deklaroi Ministrja Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, u ndal edhe tek administrimi i procesit të Maturës Shtetërore, duke folur për vëmendje të shtuar në përgatitjen konkrete të nxënësve, për të arritur rezultate të larta në provimet e Maturës Shtetërore. Manastirliu tha se testet paraprake të maturës do të fillojnë që në muajin dhjetor, duke vendosur theksin tek rezultatet e provimeve, të cilat do të jenë vendimtare për hyrjen dhe pranimin e nxënësve në universitete.
Mësuesit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në takim me Ministren ndanë disa ide mbi përmirësimin e kurrikulave, zgjerimin e bazës didaktike në shkolla, rritjen e aksesit në teknologji, orientimin e nxënësve drejt arsimit profesional dhe mbështetjen e tyre për rritjen e pagave dhe rritjen profesionale nëpërmjet trajnimeve. Ministrja Manastirliu po vijon turin e dëgjesave “Flasim për Arsimin” me mësues, nxënës, prindër për të marrë sugjerime për përmirësimin e sistemit mësimor.