Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi këtë të martë takime me drejtuesit e sistemit të drejtësisë në Itali.

Sipas një njoftimi në rrjetet sociale, ministri Manja bëri me dije se është takuar me Margherita Cassano, presidenten e Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe Luigi Salvaton, Prokurorin e Përgjithshëm të Italisë.

Sipas Manjës, me Italinë na ndan deti, por na bashkon sfida e përbashkët në sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës.

“Përtej anës zyrtare të takimit, biseda me Margherita Cassano, presidenten e Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe Luigi Salvaton, Prokurorin e Përgjithshëm të Italisë së bashku me kolegët e tyre rrodhi si një takim i zakonshëm pune mes kolegëve me të cilët ndan të njëjtin vizion për bashkëpunimin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar”, bën me dije Manja.

Ai më tej, thekson se “lidhja jonë me Italinë nuk është vetëm shpirtërore, por në fushën e drejtësisë penale ne kemi adaptuar legjislacionin italian që në fillim të viteve ‘90!”

“Na ndan në mes deti Adriatik, por na bashkojnë të njëjtat sfida në sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës. Motoja e bashkëpunimit tonë: 2 shtete një magjistraturë që i bën shoqëritë tona me të sigurta dhe më të drejta!”, përfundon njoftimi në rrjetet sociale i ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja.