Bashkimi Europian, tashmë ka në dorë marrëveshjen për emigrantët, firmosur mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni më 6 nëntor. Këtë e bëri të ditur Ambasadori Luigi Soreca gjatë konferencës për mediat.
Ndërkohë në emër të qeverisë zv/kryeministrja Belinda Balluku bëri të qartë se marrëveshja nuk është në fazën finale dhe se do të ratifikohet në parlament.
“Marrëveshja e firmosur nga kryeministri në Romë ka kaluar në qeveri të gjithë procesin e parashikuar dhe do të shkojë në parlamentin shqiptar për tu ratifikuar. Nuk është marrëveshje e cila ka përfunduar rrugëtimin e saj. Kryeministri ka bërë të qartë dhe askush nuk duhet të shqetësohet as për qëllimin dhe as kornizën juridike të saj pasi respekton të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimin e palëve. Si do të funksionojë prona, kush do ta administrojë dhe sa do të zgjasë. Ne jemi një vend që na ndan 70 milje dhe kur vjen fjala për solidaritet jemi solidar me një vend strategjik dhe të pazëvendësueshëm si shteti Italian. Na vjen keq që merren me ngjyrën e lëkurës së emigrantëve. Është rrugë e gjatë. Do ta shkojë në parlament. Do ta dëgjoni në komisione. Do jetë transparente dhe secili mund ta lexojë,” tha zv/kryeministrja Balluku në konferencë për median.