Krijuar për t’u ardhur në mbështetje startupeve më inovative dhe premtuese në Shqipëri, Mentorship Acceleration Program mbajti më 17 Nëntor 2023 takimin e parë i cili bashkoi start-upe, mentorë, partnerë dhe aktorë të rëndësishëm të ekosistemit në Shqipëri.

Ky program implementohet nga qendra laboratorike ICTSlab me mbështetjen e Star Venture Program nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Ballkanin Perëndimor, bashkëfinancuar nga Luksemburgu përmes Small Business Impact Fund dhe Bashkimi Europian përmes Western Balkans Enterprise and Innovation Facility (EDIF.)

12 startupe të përzgjedhura iu bashkuan takimit të parë, i cili u mbajt në Javën Globale të Sipërmarrjes në Europe House dhe që kishte për qëllim të prezantonte objektivat, kohështrirjen dhe punën e realizuar deri në këtë moment me start-upet.

I moderuar nga Bashkëthemeluesi ICTSlab z. Kushtrim Shala dhe Koordinatorja e Programit znj. Arjola Pazaj, këtë takim përshëndetën me pjesëmarrjen e tyre Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit znj. Delina Ibrahimaj, Drejtoresha e BERZH për Shqipërinë znj. Ekaterina Solovova dhe Menaxherja e Këshilla për Bizneset e Vogla të BERZH znj. Ardiola Hristic.
Znj. Hristic bëri një prezantim të programit Star Venture në kuadër të të cilit organizohet ky program mentorimi.

Startupet e përzgjedhura do të adresojnë nevojat e tyre specifike duke u bërë pjesë e Mentorship Acceleration Program përmes mentorimit dhe këshillimit të personalizuar nga mentorë dhe profesionistë të fushave të ndryshme si: Eneid Lika, Reita Haçkaj, Genti Selenica, Igor Madzov, Mirela Kolli, Admir Berbiu, Mei Mahila, Kushtrim Shala, Henrik Lezi, Eli Zhabevska, Denajda Dosti, Marvi Hoxha, Sabina Lalaj, Luka Lamaj, Kushtrim Xhakli, Igli Gjelishti dhe Gerti Boshnjaku.

Dialogo AI, T-Blocks, Skaitech, 3DSkai, Fortes, Hermex, Marigo, Albbuy, Via Event Creative, RentX, Kungul, Pronar.al dhe Niv.al do të mbështeten nga Mentorship Acceleration Program për të arritur potencialin e tyre të plotë e për t’i udhëzuar ato në rrugën drejt një rritjeje të qëndrueshme.

Mentorim i personalizuar, mundësi rrjetëzimi, mundësi për t’ju bashkuar Star Venture dhe mentorë me eksperiencë të gjerë nga rajoni dhe Europa Qendrore janë disa prej përfitimeve që sjell ky program për start-upet.

Mentorship Acceleration Program mirëpriti aplikime deri në datën 30 Shtator. Janë parashikuar 78 sesione mentorimi, trajnimi dhe këshillimi me mentorët kryesorë dhe 52 sesione të tjera me mentorët mbështetës.

Programi nisi të implementohej në Tetor me vlerësimin e detajuar të nevojave specifike të start-upeve për të bërë më pas edhe caktimin e mentorëve për secilin prej tyre.
Implementimi i fazave të programit të mentorimit do të vijojë përgjatë muajve Nëntor 2023 – Mars 2024.

Secili start-up do të ketë 3 metorë të cilët do të kujdesen për mbarëvajtjen e programit, ku 1 mentor do të jetë kryesor dhe do të zhvillojë të paktën 6 sesione mentorimi ndërsa 2 të tjerë janë mentorë mbështetës me të cilët startupet do të zhvillojnë të paktën 4 sesione mentorimi.

Mentorship Acceleration Program është një mundësi e artë për startupet në Shqipëri, një nismë e cila synon të japë mbështetje konkrete të personalizuar për 12 e ekipe nga ekosistemi i start-upeve në Shqipëri.