Shqipëria është kualifikuar në Europianin e vitit 2024, e cila do të mbahet në Gjermani.
I duhej një pikë, dhe në Kishinau ndaj Moldavisë, Shqipëria merr pikën që i nevojitej falë barazimit me rezultatin 1-1 dhe siguron matematikisht për të dytën herë në historinë e saj pjesëmarrjen në finalet e një kampionati europian. Kuqezinjtë rezervojnë kështu vendin e tyre në mesin e kombëtareve pjesëmarrëse në Gjermani verën e vitit 2024
Sa i takon kronikës së ndeshjes, ishin moldavët që dhanë shkëndijen e parë të ndeshjes në minutën e 16-të me Nicolaescun, por Berisha priti mjaft mirë në pozicion. Tetë minuta më pas do të vinte edhe momenti vendimtar për kuqezinjtë, me Taulant Seferin që fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë u paraqit Sokol Cikalleshi që nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetë. Sakaq, katër minuta nga fundi, Bajrami tentoi nga distanca por portieri moldav priti në dy kohë.
Fraksioni i dytë nisi me një goditje të Seferit nga distanca, por sulmuesi nuk e gjeti kuadratin. Nga ana tjetër, Nicolaescu provoi një goditje të fortë, por Etrit Berisha priti mjaft mirë dhe largoi topin në këndore. Në minutat që pasuan, një mundësi e mirë u shfaq për Dakun dhe më pas për Asanin që tentoi nga një goditje dënimi. Megjithatë, në fund, moldavët barazuan me Baboglo, por që nuk prishën festën e Shqipërisë që mori pikën që duhej për t’u kualifikuar në Euro 2024. Në sheshin “Skënderbej” goli i shënuar nga Cikalleshi është pritur me ovacione nga tifozat kuq e zi, të cilët janë mbledhur të ndjekin ndeshjen.
Shqipëria luan në transfertën e Kishinievit ndaj vendasve të Moldavisë në kuadër të kualifikuese për Euro 2024. Kuqezinjtë e trajnerit Sylvinho janë shumë pranë sigurimit të biletës për në Europianin e Gjermanisë, teksa kryesojnë Grupin E dhe iu mjafton një pikë për të siguruar matematikisht kualifikimin.
Sa i takon formacionit, në portë po qëndron titullari Etrit Berisha, në qendër Ismajli me Gjimshitin ndërsa në krah Hysaj dhe Mitaj, në mesfushë, Asllani me Ramadanin, teksa disi më i avancuar është Bajrami, në krahët e sulmit Seferi me Asanin dhe në qendër Cikalleshi. Atmosfera në stadium ndjehet sikur Shqipëria luan në shtëpi, me tifozët që janë tejet entuziastë teksa kanë pritur kuqezinjtë me ovacione.
Nga ‘fan zona’ në Moldavi, tifozeria shqiptare krahas thirrjeve “Oh sa mirë me ken shqiptar, o hej, o hej”, nuk ka kursyer as batutat apo ngacmimet ndaj Moldavisë, duke thirrur “O moldave, o hiç fare”.